Home Lajme Vetëvendosje heq nga programi Ligjin Anti-Mafia, tkurr premtimet për Vetingun

Vetëvendosje heq nga programi Ligjin Anti-Mafia, tkurr premtimet për Vetingun

Lëvizja Vetëvendosje ka larguar nga programi i saj qeverisës premtimin për miratimin dhe implementimin e ligjit Anti-Mafia të cilin e kishte premtuar në vitin 2017 dhe 2019. Në Programin e vitit 2021 partia e Kurtit për dallim nga viti 2019 e ka tkurrur edhe premtimin për procesin e Vetingut.

Prej premtimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit përgjatë viteve 2017 dhe 2019 kishte qenë miratimi dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia dhe Vetingu. Në programin e vitit 2017 kishin premtuar se gjatë qeverisjes 4 vjeçare do të implementonin premtimet e listuara.

“Krijimi i Njësisë së posaçme Anti-Mafia në Prokurori që i raporton drejtpërdrejtë Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe Krijimi i Dhomës së Veçantë Anti-Mafia në Gjykatat e Republikës së Kosovës. Garantimi i Mbrojtjes së afërt për zyrtarët e këtyre njësive”, shkruhet në programin e vitit 2017 të partisë që drejton Albin Kurti.

Programi i Lëvizjes Vetëvendosje i publikuar në faqen zyrtare

Në vitin 2019, tek fusha e Drejtësisë dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vetëvendosje kishte zgjeruar një premtim të tillë. Përveç ligjit Anti-Mafia kishin premtuar edhe një Veting të hollësishëm që do të përfshinte gjyqtarët, prokurorët, drejtuesit e lartë të Policisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës

1. Shteti i së drejtës në luftë kundër krimit të organizuarShteti i Kosovës ka ngelur i dobët sepse i kapur. Kjo duhet të marrë fund. Sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë janë themelore. Ne do të sigurohemi që shumica jonë parlamentare ta ideojë dhe zbatojë procesin e përgjithshëm të vettingut për prokurorinë, gjykatat, drejtuesit e lartë të Policisë dhe Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës. Ne kemi planifikuar që të sigurojmë ekspertizë me integritet të lartë, mosbllokimin e sistemit nga brenda dhe buxhetimin. Për ta krijuar besimin dhe sigurinë se drejtësia do të bëhet, planifikojmë krijimin e mekanizmit të vetting-ut të përhershëm. Kështu sigurohemi që mbrohet integriteti i sistemit prokurorial e gjyqësor pavarësisht ndërrimit të konjukturave drejtuese. Ky proces do të shoqërohet nga hartimi e zbatimi i Ligjit Antimafia, ku barra e provës për pasurinë e pajustifikueshme bie mbi zyrtarin e personin e hetuar. Ne do të themelojmë institucionet për dokumentimin dhe arkivimin e krimeve të luftës. Sistemit të pavarur të drejtësisë do t’u krijohen kushtet institucionale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të Serbisë në Kosovë”, thuhet në Programin e vitit 2019.

Megjithatë nuk dihet se çfarë ka ndodhur që Albin Kurti tashmë nuk e ka prioritet ligjin Anti-Mafia në programin e partisë së tij, të cilin synon ta implementojë në rast se do të fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit e do të drejtojë ekzekutivin.

Edhe çështja e Vetingut në premtimet e vitit 2021 është tkurrur dhe thuhet se do të bëhet vetëm për gjyqtarë e prokurorë, duke mos përfshirë drejtuesit e lartë të Policisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Tek programi për vitin 2021 të clin e ka prezantuar vetë Kurti Ligji Anti-Mafia nuk figuron fare derisa premtohet Veting i cili do të përfshijë vetëm Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, raporton Gazeta Express.

“Pjesë integrale dhe e domosdoshme e sistemit të drejtësisë është gjyqësori i pavarur, i paanshëm, me integritet dhe efikas. Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këshillave, procesi i vetingut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, thuhet në programin aktual të partisë së Kurtit.

Programi i Lëvizjes Vetëvendosje 2021

Për ndryshim të programit sa i përket fushës së drejtësisë dhe Vetingut, partia e Kurtit është kritikuar edhe nga Arton Demhasaj pjesë e organizatës joqeveritare “Çohu”.

Demhasaj në një debat në RTV Dukagjini ka thënë se VV dhe Kurti në vazhdimësi kanë folur për konfiskim të pasurisë së paligjshme, mirëpo në program nuk ekziston fare.

Sipas anëtarit të organizatës Çohu, Vetëvendosje e ka zbutur edhe gjuhën sa i përket Vetingut.

“ Te çështja e Drejtesisë, keni folur shumë gjatë si Vetëvendosje për ligjin për konfiskim të pasurisë së paligjshme. E kam dëgjuar z. Kurtin teksa flet, por nuk figuron askund në program ekziston kërkund. Edhe Vetingun e keni zbut, e keni thënë vetëm në hierarkinë e lartë të gjyqësorit, jo në të gjitëh sistemin”, ka thënë Demhasaj.

Most Popular