Home Lajme Skenderaj/Rruga në Klinë të Mesme kthehet në “liqen”

Skenderaj/Rruga në Klinë të Mesme kthehet në “liqen”

Banorët e disa lagjeve të fshatit Klinë e Mesme janë në hall të madh, për shkak të gjendjes së rëndë të rrugës lokale që lidhet me magjistralen Skenderaj – Mitrovicë, përkatësisht që del te rrethrrotullimi në Klinë të Mesme.


Mjafton një orë të bie shi që ky segment të kthehet në një rrugë gati të pakalueshme.
Behar Hetemi, është njëri ndër banorët që kanë bërë ankesë tek organet komunale në Skenderaj, për gjendjen e rënduar të rrugës, ku edhe kanë kërkuar intervenim, në mënyrë që banorët, sidomos fëmijët nxënës të lagjeve, të kenë kushte më të mira infrastrukturore.


Ai thotë se vajza e tij është nxënëse dhe asaj i duhet për të shfrytëzuar këtë rrugë që të shkojë në shkollë.


“Çdo ditë, vajza ime kthehet nga shkolla me këmbë të lagura. Rruga është kthyer në liqe, nga pellgjet e mëdha të ujit që janë krijuar si pasojë e të reshurave atmosferike. E tërë rruga është nën ujë”, thotë Hetemi.


Sipas tij, janë rreth 20 nxënës të lagjeve në pjesën perëndimore të fshatit Klinë e Mesme që shfrytëzojnë këtë rrugë, për të shkuar në shkollë dhe anasjelltas.


Kjo rrugë ka qenë e asfaltuar deri para pak kohësh, mirëpo kompania e cila ka marrë përsipër rregullimin e sistemit të kanalizimit, ka hequr pjesën e asfaltit, për t’i futur gypat, ndërkohë që sipër saj është shtruar zhavorr, cka ka dëmtuar akoma më shumë një pjesë të rrugës, tregon Hetemi, i cili shton se Komuna e Skenderajt është vënë në dijeni për këtë problem, mirëpo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.


Adem Muharremi, mbikëqyrës i kanalizimit nga ana e Komunës së Skenderajt, thotë se banorët nuk kanë lejuar futjen e gypave të kanalizimit në pronat e tyre, duke bërë që sistemi të shtrihet përgjatë rrugës, për çka është dashtë të hapet kanali për këtë qëllim.


Megjithëkëtë, ai thotë se deri në stinën e pranverës, kur moti të jetë më i mirë, nuk pritet të këtë punime në atë rrugë.


Ndërkohë që, deri atëherë, fëmijët që shkojnë në shkollë dhe banorët tjerë, duhet të durojnë udhëtimin nëpër baltë e ujë.

Most Popular