Home Lajme Turqia i 'shfryhet' Kosovës për ambasadën në Jerusalem, MPJ hesht, flasin ish-ambasadorët

Turqia i ‘shfryhet’ Kosovës për ambasadën në Jerusalem, MPJ hesht, flasin ish-ambasadorët

Hapja e ambasadës tonë në Jerusalem, po del të jetë jo shumë e mirëpritur nga shteti mik i Kosovës, Turqia, por edhe nga Bashkim Evropian.

Sipas gazetës suedeze, Dagens Nyheter, presidentit turk, Rexep Tayyip Erdogan po e konsideron tradhti veprimin e Kosovës ndaj Turqisë dhe vendeve me popullsi myslimane.

Në ditën kur u vendosën marrdhëniet diplomatike mes këtyre dy vendeve, reagime kishte dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës, ku e përshkruan këtë akt si zhgënjyes dhe duke i bërë thirrje Kosovës ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

 “Marrëveshja që Kosova e nënshkroi me fuqinë okupuese (Izraelin) dhe deklarimi i synimit të saj për ta hapur ambasadën në Jerusalemin e okupuar është një hap që bie ndesh me gjithçka që Kosova po përpiqet të bëjë për ta bindur botën ta njohë atë”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.

Këto reagime të ardhura nga kreu i shtetit turk, po dalin të pritshme nga ish-ambasadori i Kosovës, në Ankara, Avni Spahiu. Spahiu në një bisedë për Syri.net Kosovën thotë se reagime të tilla vijnë si pasojë e marrëdhënieve që Turqia ka me Izrealit, mirëpo nuk pret acarim të miqësisë mes Kosovës e shtetit turk.

“Deklarata e Erdoganit është një veprim i pritur sepse raportet e Turqisë me Izraelit, janë në pikën më të ulët në vitet fundit.  Turqia ka dalë në mbrojte të palestinezëve dhe është normale që do të reagoi. Reagimi ka qenë pak sa i ashpër do të thosha, për shkak se Kosova nuk e ka bërë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem për inat të askujt.  Por, është ardh si pasojë e një marrëveshje që është marrë në Uashington dhe një zotimi që ka bërë Kosova, për ta marr njohjen.Nuk besoj që do të ketë reagime të tjera shtesë që do të dëmtonin marrëdhënien Kosovë-Turqi, ne konsiderojme shtetin turk si një partnere të rëndësishme. D.M.TH e vlerësojmë shumë mbështetjen që ka bërë Turqia në një moment mjaft të ndishëm dhe nuk besoj që kjo do të mund të ishte një arsyeje për një prishje të këtij raporti, miqësia mes këtyre dy vendeve janë të thella dhe historike e nuk mund të dëmtohen me një deklaratë”.

Ish ambasadori Spahiu, shton se Kosova nuk duhet të lëviz nga pozicioni i saj, pasi ka zbatuar vetëm vendimin e marrëveshjes se Uashingtonit dhe kërkesën e nikoqirit.

“Një shtet serioz nuk mund të marr vendim e pastaj të tërheq vendimet e marra. Kosova e ka vendosur duke dhënë zotimin në Uashington dhe, BE-ja e din gjithashtu se SHBA-të gjithashtu e kanë vendosur ambasadën atje dhe nuk ka pasur reagime të tilla. Do të thotë Kosova me këtë vendim ka zbatuar një kërkesë ndaj Izrealit për të hapur ambasadën në Jerusalem. Kjo s’ka të bëjë asesi në statusin e ardhshëm të Jerusalemit si kryeqytet i dy komuniteteve , opsioni i dy shtetet në lindjen e afërt qëndron i hapur dhe nuk përzihet se cili do të jetë fati i Jersualemit në të ardhmen. Ne kemi vepruar ashtu sic ka kërkuar shteti nikoqir, të jetë atje. Ne nuk duhet të veprojmë ndryshe, ne kemi llogaritur që do të ketë të tilla reagime, shpresoj që nuk do të kenë pasoja serioze në raport me të tjerët.” – përfundoi Spahiu.

Kurse ish- ambasadori në Australi dhe diplomati i karrierës, Sabri Kicmari në një prononcim për Syri.net shprehet se Kosova duhet të i përgjigjet Turqisë me sinqeritet dhe t’ia sqarojë se pse ka ardhur ky vendim për hapjen e ambasadës në Jerusalem. Mbi të gjitha duhet të shpjegohet rëndësia e mardhënieve të Kosovës me SHBA-të.

“Reagimi i zyrtarëve të Turqisë në lidhje me vendimin e Republikës së Kosovës për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, pas njohjes së Republikës së Kosovës nga Izraeli, duhet marrë në konsideratë me kujdes të shtuar diplomatik. Turqia është vend mik dhe një nga vendet që e ka mbështetur pa hezitim lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Politika jonë e jashtme duhet të komunikojë sinqerisht me përfaqësuesit e Turqisë. Kërkohet takt, durim dhe shpjegim i sinqertë i interesave tona nacionale, duke marrë në konsideratë me profesionalizëm diplomatik vërejtjet e mikut tonë të rëndësishëm – Republikës së Turqisë. Duhet shpjeguar me kujdes se njohja nga Izraeli ka një rëndësi të madhe për Kosovën, ashtu siç kanë rëndësi të madhe edhe marrëdhëniet tona me SHBA. Besoj se me një gjuhë të kujdesshme diplomatike, me demonstrim të gatishmërisë për thellim të miqësisë me Turqinë dhe vendet arabe, politika jonë e jashtme mund ta kalojë këtë situatë të krijuar pas njohjes nga Izraeli” – tha Kiçmari.

Ndërsa njohës i Turqisë dhe i Lindjes së Mesme, Mustafa Bajrami, me 2 shkurt kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike zyrtarisht mes Kosovës e Izrealit, paralajmëroi një reagim të tillë dhe probleme që mund të lindin në të ardhmen.

“Vënia e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin është një prej ngjarjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme për Kosovën që nga paslufta. Ndërsa, hapja eventuale e ambasadës tonë në Jerusalem mund të jetë sfida dhe problemi më i komplikuar edhe për shumë vjet në të ardhmen. Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit refuzojnë ta njohin vende e organizata të fuqishme të botës, si, Vatikani, Turqia, Kina, Rusia, BE-ja, OKB- ja, etj. Rrjedhimisht refuzojnë bartjen e ambasadave nga Telavivi, aty”.

Mustafa shton se një fat të tillë mund ta ketë tani edhe Kosova dhe se ndoshta do të duhej të merr shembull për mënyrën e organizimit të diasporës, ashtu siç është ai i Izrealit.

 “Për koincidencë, tani e tutje Kosova mund të ballafaqohet me peripeti por edhe me mirësi të ngjashme me të cilat ishte ballafaquar Izraeli në dekadat e para të ekzistimit të tij. Dmth, edhe pse vendet arabe nuk e njihnin, mbase e luftonin Izraelin, edhe pse pjesa më e madhe e bot?s ishte kundër tij, Izraelit i mjaftonte mbështetja e SHBA-ve dhe e 4-5 vendeve tjera të fuqishme të botës. Kishte vështirësi, por ama, ajo mbështetje e SHBA- ve e ngriti Izraelin deri në atë nivel sa t’i sfidojë mbi 300 milion arabë dhe të bëhet ndër vendet më të fuqishme dhe më të përparuara të botës. Të ju rikujtojë edhe këtë: Izraeli e ka një diasporë aq të mbarë, aq të konsoliduar e aq të fuqishme, sa në disa vende të botës ajo luan rol të madh dhe përcaktues në ekonomitë, politikat dhe diplomacitë e atyre vendeve” – shkruante Mustafa në Facebook.

Ndaj këtyre reagimeve ka folur edhe filozofi Blerim Latifi.

Ai e ka quajtur Erdoganin, sulltan duke shtuar se paska pasur iluzionin që ne jemi vilajet i tij dhe si të tille duhet t’i ndjekim huqet e politikës së jashtme të tij.

 Latifi shton se kanë marr fund ëndrrat që Kosova është vilajet dhe se tani si shtet i pavarur dhe merr parasysh orientimet gjeopolitike të SHBA-be.

“Sulltani Erdogan na paska quajtur tradhtarë, pse kemi marrë vendim që ambasadën e Kosovës ta vendosim në Jerusalem.Tipi e paska pasur iluzionin që ne jemi vilajet i tij dhe si të tillë duhet t’i ndjekim huqet e politikës së tij të jashtme. Kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë ëndrrat që Kosovën e shohin si vilajet apo oblast. Kosova është shtet i pavarur që në politikën e jashtme merr parasysh orientimet gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsyet dihen. Sulltani Erdogan na paska quajtur tradhtarë,duke harruar, së pari, faktin themelor se ne botën, parasegjithash, e mendojmë si shqiptarë dhe, së dyti, faktin se ne nuk kemi bërë ndonjë besëlidhje me të përtej marrëdhënieve normale që krijohen midis dy shteteve të pavarura” – shkruan Latifi në Facebook.

Syri.net i është drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës për të marr ndonjë qëndrim në lidhje me këto deklarata të Erdogan, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk janë përgjigjur.

Gjithashtu, Syri ka pyetur edhe në ambasadën turke në Prishtinë në lidhje me gjithë këto deklarime të shtetit të tyre që përfaqësojnë, ata nuk kanë kthyer përgjigje përkundër që kemi pritur dy ditë.

 Turqia është shteti i dytë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj dhe si e tillë ishte pjesë edhe ndërhyrjes së forcave të NATO-s gjatë 1999.

Miqësia mes Kosovës e u thellua edhe në bashkëpunime mes këtyre dy vendeve për fusha të ndryshme.

Most Popular