Home Lajme Kuqi: Kur shpallëm pavarësinë, bacën Rifat e futëm në Kuvend si në...

Kuqi: Kur shpallëm pavarësinë, bacën Rifat e futëm në Kuvend si në odën e vetë edhe pse kishte procedura rigoroze për siguri

Ish zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka treguar se më 17 shkurt 2008, kur është mbajtur seanca solemne për Pavarësinë e Kosovës, Rifat Jashari kishte hyrë në Kuvendin e Kosovës pa asnjë kontroll të sigurisë.

Kuçi në Frontal të T7 tha se atë ditë ka qenë një siguri e madhe kur njerëzit hynin brenda Kuvendit. Ai tregon se Rifat Jasharin e kanë futur në Kuvend “ashtu qysh rrinë në odën e tij në Prekaz”, pa asnjë procedurë.

“Unë jam kujdes për të kur ka ardhë, personalisht. Ka qenë një siguri e madhe kur hynin brenda njerëzit, e jashtëzakonshme. Kanë qenë përfaqësuesit vendor, ndërkombëtar, në rast se ndodh ndonjë incident. Bacën Rifat e kam shti në Kuvendin e Kosovës qysh rrinë në odën e tij në Prekaz, pa asnjë procedurë, pa asnjë kontroll të sigurisë, ashtu si ka qenë, dhe i kam thënë, ju e meritoni”, ka treguar Kuçi.

Tutje ai tha se Rifat Jashari në kuptimin emocional është mbajtur më së miri. Kuçi shprehet i lumtur që baca Rifat ka hy si ka dashtë atë ditë në Kuvendin e Kosovës.

“Ai është më i fort emocionalisht sesa që mund të jemi të gjithë ne, imagjino një njeri që ka sakrifiku familjen, ka qenë satisfaksion për të. Në kuptimin emocional ka qenë prej burrave që është mbajt më së miri. Jam I lumtur që në Kuvendin e Kosovës ka hy qysh ka dashtë ai dhe jam i lumtur që kam qenë një prej atyre që teknikisht ja kam  mundësu këtë”, u shpreh Kuçi.

Most Popular