Home Lajme Skenderaj/Grupi i Sami Lushtakut bojkoton Bekim Jasharin

Skenderaj/Grupi i Sami Lushtakut bojkoton Bekim Jasharin

Inatet puro politike ndërmjet dy taborëve, që ndryshe njihen edhe si “grupi i Sami Lushtaku” dhe “grupi i Bekim Jasharit”, ndonëse të dy grupet i takojnë PDK-së, po shkaktojnë përçarje ndërmjet qytetarëve, ndërsa ndasitë sa vijnë e thellohen.

Për shkak të këtyre inateve ndodh që ngjarje të rëndësishme të bojkotohen kryesisht nga përkrahësit e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, duke ia humbur hijeshinë dhe momenteve të shënuara, por jo edhe rëndësinë.

Hiq më larg se sot, ndonëse vazhdimësi e veprimeve të tilla, është injoruar seanca solemne e Kuvendit Komunal, me rastin e shënimit të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nga një pjesë e asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht shumica e atyre që janë lojalë ndaj kryetarit të Degës së PDK-së, Sami Lushtaku.

Acarimet janë edhe më të theksuara ndërmjet dy figurave qendrore në komunën e Skenderajt, Bekim Jashari e Sami Lushtaku, tani kur të dytë e kanë deklaruar publikisht kandidaturën për të parin e Komunës, në zgjedhjet që do të mbahen në pjesë e dytë të këtij viti.

Ngjarja historike si kjo e sotmja, do të duhej t’i bashkonte këto dy figura publike, e t’i lënë mënjanë për pak kohë inatet ndërmjet veti.

Fatbardha Haliti, kryesuese e Kuvendit Komunal, thotë se seancat solemne nuk janë obligative për anëtarët e asamblesë.

Megjithëkëtë, sipas saj, asnjëri prej tyre që kanë munguar, nuk ka njoftuar paraprakisht që nuk do ta marrë pjesë në seancën solemne./Rajoni.org/

Most Popular