E premte, 25 Qershor, 2021

Skenderaj/Po të ishte gjallë, Hamëz Jashari sot do t’i mbushte 71 vjet!

Delegacioni i Komunës së Skenderajt, i udhëhequr nga kryetari Bekim Jashari, ka bërë sot nderime te busti i heroit kombëtar, Hamëz Jashari, para objektit të vjetër të Gjimnazit që mban emrin e vëllait të Adem Jasharit, në 71 vjetorin e lindjes së tij.

Në nderime ishin edhe nipërit e mbesa, Hamza, Blerimi e Feridja, emrat e të cilve janë trashëguar nga paraardhësit e tyre.

Pjesë e delegacionit ishin edhe kolektivi i shkollës së mesme, nxënësit, dhe pjesëmarrës tjerë, duke nderuar veprën dhe sakrificën e Hamëz Jasharit, për lirinë e vendit nga okupatori serb.

Delegacioni më pas ka vazhduar në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, ku gjithashtu ka bërë homazhe.

Kryetari Bekim Jashari, në një postim në llogarinë e tij në facebook, me rastin e datës së lindjes së Hamëz Jasharit, përveç tjerash ka shkruar: “Urime babush ditëlindja e 71-të!

Hamza i ri po rritet e bashkë me të edhe malli e dashuria për ty heroi im.

Jetoj e punoj me mësimet tua, në shërbim të vendit që aq shumë e deshte!”.