HomeLajmeAAK e PDK pa vendim për presidentin, LDK e zënë me hallet...

AAK e PDK pa vendim për presidentin, LDK e zënë me hallet e veta

Ende nuk ka përfunduar numërimi i votave të diasporës e as atyre me kusht, që do ia lejonin KQZ të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Prandaj edhe subjektet politike ende nuk e kanë diskutuar çështjen më të rëndësishme që do të përballen po sa të krijohet qeveria, postin e presidentit.

Kandidatja për Presidente nga LVV, Vjosa Osmani, ende nuk i ka të siguruar praninë e deputetëve të opozitës gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit/es.

Përkundër që është përfolur në media se një pjesë e opozitës do të qëndrojë gjatë kësaj seance, një gjë e tillë së paku nuk është konfirmuar ende.

Nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra që ka siguruar edhe një mandat në këtë legjislaturë, i ka thënë Syrit se ende nuk kanë diskutuar në parti për këtë temë, pasi janë në pritje të rezultateve përfundimtare.

“Ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje nëse do qëndrojmë ose jo në senacë. Ka ende kohë, jemi në pritje të rezultateve përfundimtare që do të certifikohen nga KQZ. Atëherë do shohim. Ne mbesim në vijë që do jemi në opozitë dhe asesi në koalicion me VV-në” – deklaroi Deliu-Kodra.

Ndërsa, kandidati për deputet nga AAK, Bekë Berisha, për Syrin u shpreh se ende nuk dihet se çfarë do të bëjnë si parti, pasi po presin certifikimin e rezultateve.

Ai thekson se është kundër një koalicioni me VV-në dhe shton gjëra edhe mund të ndryshojnë e Osmani të mos bëhet presidente.

“Nuk e kemi fol, është shumë herët, ka kohë edhe dy muaj deri në certifikimin e rezultateve dhe deri atëherë shumë gjëra mund të ndryshojnë. Ne si parti jemi të qëndrimit që Haradinaj të jetë president i vendit. Unë personalisht jam kundër një koalicioni me VV-në”.

Syri.net Kosova ka kontaktuar me disa nga kandidatët për deputetë nga LDK, mirëpo nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se janë duke u marrë me çështjet e brendshme të partisë.

Se LDK-ja do të duhet të qëndrojnë gjatë seancës, por e thotë edhe deputetja e ardhshme e Kuvendit, Donika Gërvalla.

Ajo ka thënë se përderisa LDK e bëri Thaçin president pse të mos ia bojë kuorumin Osmanit.

Vjosa Osmani vazhdon të kryejë postin e U.D. të Presidentes, mirëpo nuk i ka mbetur edhe shumë kohë, pasi në maj i skadon afati prej 6 muajsh që ndodhet në këtë pozitë.

Shumë dilema janë dhënë se kush do ta mandatojë kryeministrinë dhe se cili duhet të zgjidhet i pari.

Sipas njohësve të Kushtetutës, fillimisht do të bëhet zgjedhja e Kuvendit të ri duke pasur pastaj me zgjedhjen e Presidentit të vendit e deri te mandatimi i kryeministrit të ri. Kështu kanë deklaruar njohësit e çështjeve juridike në vend për Syrin.

Most Popular