Home Lajme A po ndryshohen masat anti-COVID?

A po ndryshohen masat anti-COVID?

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka deklaruar kryetarët e komunave kanë konstatuar se numri i të testuarve gjatë ditës nuk është në përqindje të lartë, në mënyrë që të shqyrtohen masat dhe për ketë arsyeje, ata si asociacion nuk kanë rekomanduar ndryshim të masave anti-Covid.

Ibrahimi ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës është takuar me këshillin e kryetarëve, ku është diskutuar rezultati që ka sjellur kategorizimi i komunave me ngjyra, i cili ka sjellur rezultat pozitiv.

“Para disa ditëve është mbledhur komiteti ndër ministror apo ndërinstitucional anti-covid, ku është diskutuar për situatën aktuale sa i përket pandemisë Covid-19 dhe në atë takim nuk është diskutuar sa i përket shtrëngimit të masave apo ndryshim të tyre. Në takimin e fundit që e kemi pasur si këshill i kryetarëve, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës me nivelin qendror. Kryetarët e komunave kanë shfaqur gatishmëri që të përkrahin nivelin qendror në zbatimin e masave nëse ka nevojë masa të reja, mirëpo kanë shfaqur kapshmëri sa i përket masave të tanishme anti-covid, përmes ngjyrave, apo kategorizimin të komunave me ngjyra ku është theksuar që ky kategorizim ka treguar edhe rezultate pozitive në përqindje. Në numrin e testuarve gjatë ditës komunat kanë konstatuar që nuk është një përqindje e lartë në mënyrë që të shqyrtohen masat dhe për ketë arsyeje ne si asociacion nuk kemi rekomanduar ndonjë ndryshim të masave anti-covid” , tha ai.

Sipas tij, drejtoritë komunal janë kujdesur për shkollat që të pajisen me mjete mbrojtëse anti-covid, dhe kjo ndikoi edhe në numrin e paket të infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve.

“Përmes drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit dhe përqindja e nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar nga Covid-19, është në nivelin shumë të ulët dhe për ketë arsyeje kemi vetëm disa shkolla të cilat janë duke zhvilluar mësim online. Drejtoritë komunale të arsimit kanë bërë një punë shumë të mirë në mënyrë që shkolla të pajisen me mjete mbrojtëse anti-covid dhe për këtë arsyeje kemi një numër të vogël të rasteve në nivelin lokal sa i përket infektimit të nxënësve dhe mësimdhënësve”, tha ai.

Ai ka thënë se gjatë këtyre muajve ka ngritje të të hyrave vetanake nëpër komuna, krahasuar me vitin 2020.

“Në krahasim me vitin 2020 sa i përket situatës ekonomike dhe situatës te të hyra vetanake gjendja është duke ndryshuar pozitivisht. Duhet marrë parasysh që ne vitin 2020 të hyrat vetanake kanë pasur një rënie drastike për shkak të pandemisë Covid-19, dhe disa projekte kapitale të cilat u realizuan përmes të hyrave vetanake, nuk kanë mund të realizohen për shkak të pandemisë por edhe rënies drastike të të hyrave vetanake. Gjatë këtij fillim viti, këta dy muajt e parë është parë një ngritje sa i përket të hyrave vetanake. E në veçanti nga tatimi në pronë sepse të hyra kryesore e komunave janë nga tatimi në pronë dhe nga lejet e ndërtimit, si dhe nga disa taksa komunale që paguhen nga bizneset lokale, të cilat operojnë apo shfrytëzojnë hapësirat publike të komunave” tha ai

Bizneset në komunat e Republikës së Kosovës u ndihmuan duke i larguar nga pagesa e qirasë dhe lirimi në taksa të ndryshme komunale. Ibrahimi thotë se komunat ndihmuan bizneset brenda mundësive ligjore dhe kapaciteteve buxhetore.

“Në bazë të mundësive, kapaciteteve buxhetore të komunave të Republikës së Kosovës, biznese të cilat kanë operuar në komunat përkatëse janë ndihmuar nga autoritet lokale, përmes lirimit të taksave të ndryshme, ju kanë mundësuar bizneseve, atyre që i kanë shfrytëzuar hapësirat publike apo komunale të lirohen nga qiraja, por gjithashtu edhe disa kamata ndëshkimore të cilat janë të parapara me rregullore komunale janë eliminuar d.m.th. brenda mundësive ligjore dhe kapaciteteve buxhetore komunat i kanë ndihmuar bizneseve në territorin komunal në të cilin ndodhen”, tha ai

Ai thotë se në të gjitha komunat e Kosovës është nga një qendër e mjekësisë familjare, e cila quhet Covid, ku pacientët të cilët kanë simptoma, mund të kontrollohen, duke ua mundësuar të mos shkojnë të trajtohen vetëm në Qendrën Kryesore Universitare, por të kenë mundësi edhe në komunat e tyre.

“Pothuajse në secilën Komunë të Kosovës është një Qendër e Mjekësisë Familjare, e cila quhet Covid dhe pacientët të cilët kanë simptoma të Covid-19 nuk kanë nevojë që drejtpërdrejt të shkojnë në Qendrën Kryesore Universitare, mirëpo shkojnë dhe lajmërohen në Qendrat e Mjekësore Familjare, ku aty bëhet identifikimi me Covid-19 dhe pastaj merret edhe terapia”, tha ai.

Most Popular