Home Lajme Prapaskenat në Ministrinë e Infrastrukturës: Si ia “hëngri kokën” Nexhat Krasniqi, Izedin...

Prapaskenat në Ministrinë e Infrastrukturës: Si ia “hëngri kokën” Nexhat Krasniqi, Izedin Bytyqit

Vetëm pak orë më parë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi e shkarkoi nga detyra Sekretarin e Përgjithshëm, Izedin Bytyqi.

Edhe pse në vendimin e shkarkimit nuk jepen shumë detaje për këtë shkarkim, Gazeta Blic ka mësuar në detaje “prapaskenat” deri tek ky vendim i Ministrit Arban Abrashi.

Siç merret vesh, shkak për shkarkimin e tij është Nexhat Krasniqi, i kthyer së fundi në pozitën e Drejtorit të Prokurimit në këtë ministri.

“Shkak për shkarkimin e sekretarit Bytyqi, është vendimi i këtij të fundit që Nexhat Krasniqin nga Departamenti i Integrimeve ta kthej në pozitën e Drejtorit të Prokuorimit në Ministrinë e Infrastrukturës”, tha ky burim.

Por, si ndodhi që Bytyqi ta kthej në këtë post Nexhat Krasniqin?

Gazeta Blic ka marrë vesh se ishte Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ai i cili e kishte “detyruar” sekretarin e deri sotëm të MI-së, Izedin Bytyqi që ta ndërmarë një veprim të tillë.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, para disa ditësh ia kishte ndalur gjysmën e rrogës Izedin Bytyqit, për shkak të mos zbatimit të vendimit, që Nexhat Krasniqin ta kthej në postin e drejtorit të Prokurimit. Pas këtij vendimi të Këshillit, Bytyqi vendos që ta rikthej Krasniqin në pozitën e drejtorit të Prokurimit, nga drejtori i Integrimeve”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Kontakti me ta ka qenë i pamundur, pavarësisht përpjekjeve të Gazeta Blic.

Gazeta Blic e ka siguruar vendimin Abrashit për shkarkimin e Izedin Bytyqit nga posti i sekretarit të Përgjithshëm.

Most Popular