Home Lajme Kuds apo Jerusalem, si do të rreshtohet Kurti për vendosjen e Ambasadës?

Kuds apo Jerusalem, si do të rreshtohet Kurti për vendosjen e Ambasadës?

Kur në Kosovë mendohej se me shkuarjen e Thaçit, ra edhe “vëllazëria” me Erdoganin dhe Kosova do ta konsideronte Turqinë shtet mik, por jo të bëhej shtet vasal i saj, Kurti befasisht tregoi se do ta ndjekë rrugën e kundërshtarit të tij. Pas letrës nga Erdogani, ai ka hapur debatin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem, “do ta shqyrtojë”, ndonëse SHBA’ja kërkon që të veprojë sipas zotimit të Kosovës në marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë. Për rrezikun e “shqyrtimit” të vendosjes së Ambasadës për Express kanë folur ish-diplomatë dhe ish-ministri i Jashtëm.

Me ndërmjetësimin e SHBA-së, Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike muajin e kaluar. Këtë vendim e ka kritikuar presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i cili i ka shkruar letër fituesit të zgjedhjeve të fundit, Albin Kurtit, ku ishte shprehur i ngazëllyer që kryetari i VV’së do ta shqyrtojë lokacionin e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Emërtimi tjetër për Jerusalemin që njihet nga bota islame është Kuds që për myslimanët njihet si qyteti i shenjtë.

Por, moshapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem po konsiderohet si veprim i gabuar nga ish-ambasadorë dhe diplomatë kosovarë.

Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA dhe Turqi, Avni Spahiu konsideron se Kosova pa bërë shumë zhurmë duhet ta hapë ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

“Mendoj që duhet të mbahet zotimi që ka bërë Kosova në Uashington dhe pa bërë zhurmë shumë të hapet ambasada në Jeruzalem ashtu siç është premtuar”, tha Spahiu për Gazetën Express.

Kurse ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcës dhe ish-ambasadori i Kosovës në Australi Sabri Kiçmari tha për Express se çështja e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka përfunduar.

“Unë mendoj që situtata është e tillë që vendimi për hapje të ambasadës atje është bërë publik, e ngarkuara me punë është në rrugë për Jerusalem e konsideroj çështje të përfunduar. Sipas pikëpamjes time është çështje e përfunduar, nga këndvështrimi im nuk mund të lëvizet meqë ka një dakordim ndër shtetëror, ne mund të bisedojmë në lidhje me atë se a ka qenë vendim i duhur a ka mundur të negociohet por meqë kryeministri në detyrë ka bërë deklarim publik ai ka folur në emër të shtetit dhe u kry kjo punë” tha Kiçmari.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në një prononcim për Gazetën Express tha se do të ishte joserioz ndryshimi i vendimit për hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në Jerusalem.

“Unë besoj se nëse një qeveri ka marrë një vendim do të ishte joserioze prej qeverisë tjetër që t’i ndryshojë vendimet. Nëse është marrë një vendim dhe është nënshkruar në emër të qeverisë për mu për një shtet për një qeveri nuk do të ishte serioze që të ndryshohen vendimet”, tha Pacolli.

Ndërkaq drejtori i Institutit per Politika Sociale “Musine Kokolari”, dhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha për Express se lidhur me këtë çështje ka një dallim thelbësor pasi Kosova nuk po e zhvendosë ambsadën nga Tel Avivi në Jerusalem por po e hap atë për herë të parë në qytetin e Jerusalem.

“Mendoj që në këtë pikë duhet orientuar diskutimin. Vendosja e marrëdhënieve diplmatike mes Izraelit dhe Kosovës është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin tonë. Po ashtu ndodh në një kohë të veçantë dhe në mënyrë të veçantë. Kosova nuk po e zhvendos ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem, por po e hap këtë për herë të parë në Jerusalem. Ky është dallim thelbësor mes nesh dhe vendeve tjera.

Jerusalemi është një qytet që ngërthen në vete një histori e aktualitet jashtëzakonisht të ndërlikuar politik. Ashtu siç ngërthen edhe konflikti afatgjatë Izrael Palestinë”, tha Ymeri duke shtuar se Kosova duhet të ketë me shumë enegji diplomatike e diskutim me të gjerë e më të sinqertë me BE por edhe me vendet tjera për ta shpjeguar vendimin e saj. Neve na duhet njohja nga Izraeli. Po ashtu na duhen marrëdhëniet e mira me BE-në, Turqinë e, në të ardhmen, me vendet arabe.

Kryeministri i Izraelit,Benjamin Netanyahu, në letrën e tij që i ka shkruar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe gjithashtu vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Netanyahu në letrën e urimit, ka thënë se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu

Në anën tjetër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka kthyer letrën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e uroi për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë letër, Kurti shkroi edhe për ftesën e Netanyahu-t për ta vizituar Izraelin por pa e përmendur hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Most Popular