Saturday, September 25, 2021

Skenderaj/Mbërrijnë dozat e para të vaksinës!

Kanë mbërritur dozat e para të vaksinës Astra Zeneca për komunën e Skenderajt, në kuadër të sasisë prej 25 mijë të tillave që i pranoi Kosova ditë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Rajonin drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj, dr.Osman Veliu, sipas të cilit, për këtë fillim janë pranuar 100 doza.

Veliu ka thënë se në bazë të planit të vaksinimit, të parët që do të marrin vaksinën janë mjekët e stafit mjekësor, meqë janë ata të cilët ndodhën në vijën e parë të “luftës”, ndërkohë që do të vijohet me hapat e tjerë, sipas rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sot kemi marrë dozat e para të vaksinës Astra Zeneca. Fillimisht kemi pranuar 100 doza, ndërkohë që të parët që do të vaksinohen janë stafi shëndetësor, e pastaj, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të fillojmë me personat mbi moshën 80 vjeç, e më radhë”, ka thënë drejtori i QKMF-së.

Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, procesi i vaksinimit do të nis të mërkurën (8 prill).