Home Lajme Si ia ndërruan planet Osmani e Kurti - Serbisë

Si ia ndërruan planet Osmani e Kurti – Serbisë

Ende pa rifilluar dialogun me Kosovën, Serbia ka filluar t’ia ketë frikën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Politikat dhe qëndrimet e Kosovës ndaj bisedimeve me Serbinë, kanë ndryshuar me zgjedhjen e qeverisë së re dhe presidentes së re. 

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ia kanë bërë me dije udhëheqësve serb se pa njohje të pavarësisë dhe pa kërkim falje për krimet në luftën e fundit, nuk ka marrëveshje për stabilizim të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve. 

Këto deklarata dhe qëndrime të liderëve shtetëror të vendit, siç duket i kanë frikësuar politikanët serb.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiqi ditë më parë deklaroi se Ramush Haradinaj ishte ‘lule’ në krahasim me Kurtin dhe Osmanin. 

“Ne thamë se Haradinaj ishte më e keqja, por tani, Haradinaj ishte lule në krahasim me Kurtin dhe Osmanin”, tha Daçiq.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani, janë një kombinim që ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Se frikën Albin Kurtit ia ka edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, e vërteton një deklaratë e këtij të fundit muaj më parë për kryeministrin e ri të Kosovës.

“Kam frikë për ndikimin që mund të ketë në dialog. Ditët e fundit, deklaratat e tij publike kanë qenë tre herë më të këqija se ato të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt”, ka thënë Vuçiç.

Njohësit e çështjeve evropiane dhe politike deklaruan se tani dialogu me Serbinë do të marrë kahjen e duhur, me zgjedhjen e udhëheqësve të rinj.

Ata u shprehën se me ardhjen e Kurtit dhe Osmanit në pushtet, ka vdekur ideja për shkëmbim të territoreve dhe formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca ka deklaruar se vazhdimi i dialogut me Serbinë do të marrë kahjen e duhur, pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente dhe Albin Kurtit kryeministër.

 “Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente dhe Albin Kurtit Kryeministër, vazhdimi i dialogut me Serbinë do të marrë kahjen e duhur dhe sigurisht që kjo jap shpresë për mbyllje të dialogut përmes njohjes reciproke”, ka thënë ai

Sipas Vocës, liderët e shtetit serb do ta kenë shumë më të vështirë zhvillimin e dialogut me Kosovën, nëse refuzojnë ta njohin atë si shtet të pavarur dhe sovran. 

Tutje, ai u shpreh se nëse politikanët serb i orientojnë politikat drejt Bashkimin Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar falje për krimet ndaj popullit të Kosovës, atëherë do të krijohej një lehtësim dhe stabilizim i gjendjes politike në rajon. 

Mirëpo, ai deklaroi se tani të dy këta udhëheqës serb e kanë të qartë se me Kurtin dhe Osmanin nuk do të kenë mundësi të bëjnë shantazhe si në të kaluarën, duke pasur parasysh pastërtinë dhe ndërgjegjshmërinë e lidershipit të Kosovës.

Most Popular