Tuesday, October 26, 2021

Kush po e mban të ‘zaptuar’ gjysmë e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj

Si do ta mbajë premtimin Bekim Jashari, kur gjysmën e Shtëpisë së Kulturës e mban të ‘zaptuar’ Arben Veliqi

VISION MEGA

Bekimit Jasharit i ka rënë ndërmend se shumë OJQ lokale, shoqata dhe organizata të tjera, të cilat përherë janë ndihmuar me hapësira për punë nga komuna, janë duke bredhur rrugëve, pasi që saktësisht para një viti ishin dëbuar nga ndërtesa në shkatërrim e sipër ku më përpara ishte vendosur TMK-ja, me arsyetimin se ai objekt do të shfrytëzohet për karantinë. Nga atje u dëbuan KFOR-i, shoqatat e dala nga lufta, shoqata për të pagjeturit, shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, shoqata e pensionistëve, dy OJQ, shoqata e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta, shoqata e të burgosurve politikë, klubi i shigjetarisë dhe ndonjë tjetër, si dhe gazetari i vetëm aktiv në gjithë rajonin e Mitrovicës dhe në Drenas, Kajtaz Gecaj.

Në këtë situate dhe prej atëherë, të gjithë të dëbuarit punën e tyre e bëjnë nga shtëpitë. Më vonë, në Qendrën e Kulturës, komuna i kthej tri shoqatat e dala nga lufta, ndërsa nuk e preku fare një rrobaqepëse, e cila kryen punën e saj gjithashtu në ndërtesën e Qendrës së Kulturës.

I paprekshëm si gjithëherë ka mbetur Arben Veliqi, një njeri që është ‘mplakur’ duke menaxhuar Qendren Rinore Publike. Ai, edhe pas rinovimit të ndërtesës mban të ‘uzurpuar’ gjysmën e objektit të Qendrës së Kulturës, pa zhvilluar as edhe një aktivitet të vetëm. Ai është njeriu që i mbledh subvencionet në emër të aktiviteteve rinore (rasti i 2019-tës), OJQ-të tjera, për komunën pothuajse nuk ekzistojnë.

Se komuna vetëm atë e dine se është shoqëri civile tregon mbledhja e fundit e Kuvendit të Skenderajt, kur Arben Veliqi u zgjodh në dy komisione për vlerësimin e ofertave për dhënie në shfrytëzim të pronës publike, njëra për 99 vjet dhe tjetra për 40 vjet. Thanë se nuk ka tjetër, nuk po gjejnë askë nga shoqëria civile. Vërtet absurde, kur në Skenderaj janë të regjistruara dhe aktive mbi 20 OJQ, janë disa që janë regjistruar në ndërkohë dhe vërtetë zhvillojnë aktivitete. Në anën tjetër, në komunë nuk e kuptojnë se nuk janë vetëm OJQ-të shoqëri civile.

“Duke marrë për bazë pasoja e mëdha të pandemisë tek bizneset, me qellim të përkrahjes së tyre , propozoj që të marrim vendim për mbështetjen e bizneseve në këto aspekte, lirimin nga pagesa në stacionin e autobusëve, lirimin nga pagesa për shfrytëzimin e hapësirave publike të jashtme nga gastronomet deri në fund të këtij viti, arsyeja kryesore është se në këtë periudhë gastronomet kanë qenë të dëmtuar me së shumti, komuna po ashtu nuk këtë vit nuk do të aplikoj taksën në biznes, duke përjashtuar posten, institucionet mikrofinanciare si dhe kompanitë e sigurimeve. Po ashtu do t’i ndihmojmë edhe OJQ-të, në sigurimin e hapësirave të punës”, ka premtuar Jashari.

Tani kur ai e ka dhënë këtë premtimin, se do t’i ndihmojë OJQ-të lokale për sigurimin e hapësirave të punës, ato presin që ky premtim të mbahet. Në çfarë mënyre dhe ku do t’u sigurojë atyre hapësira për punë pritet të shihet. Të gjithë OJQ-të i kanë kërkesat në Drejtorinë për Shërbime Publike, komuna vetë u kërkuar të bëjnë lutje për sigurimin e hapësirave publike, atëherë kur janë dëbuar nga objekti “Te pishat”. Kërkesa për sigurimin e hapësirave të punës janë bërë edhe më vonë, ndonëse ‘zor që dikush i ka kqyrë’. Por mund t’i shohin tani.