Home Lajme Qeveria Kurti e shtyn finalizimin e programit qeverisë

Qeveria Kurti e shtyn finalizimin e programit qeverisë

Një muaj pas votimit në Kuvendin e Kosovës, kabineti qeveritar ende nuk ka një program mbi të cilin qeveris me vendin. Përkundër asaj se në fillim të kësaj jave është premtuar se ai do të finalizohet të premten, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të shtunën, nga Qeveria kanë thënë se programi pritet të jetë i gatshëm javën që vjen, por nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse votimi në Qeveri do të bëhet para se kryeministri Albin Kurti të udhëtojë për në Bruksel. E qeverisja e vendit pa program e plan është kritikuar nga partitë në opozitë.

Qeveria e Kosovës sërish e ka shtyrë afatin për përfundimin e hartimit të programit qeverisës. Më 20 prill, të martën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se janë në proces të finalizimit të tij dhe se ai do të përfundojë deri të premten.

“Ende jemi në finalizim të programit qeverisës, besoj që do të përfundojë deri të premten, e pastaj do të votohet në Qeveri”, kishte thënë Haxhiu, derisa në një tryezë diskutimi ishte e ftuar t’i shpalosë prioritetet e ministrisë që udhëheq.

Përkundër kësaj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. E tani ekzekutivi ka dhënë një afat tjetër.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, është dhënë tjetër afat.

“Programi i Qeverisë pritet të jetë i gatshëm javën tjetër. Shumë shpejt do të hidhet për votim në mbledhje të Qeverisë dhe më pas për diskutim në Kuvend”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Por, javën tjetër, kryeministri Albin Kurti do të qëndrojë në Bruksel për disa ditë. Zëdhënësi i Qeverisë nuk ka dhënë përgjigje nëse programi do të votohet para se Kurti të udhëtojë për në Belgjikë.

E punën e Kurtit e të kabinetit të tij pa program qeverisës e kanë kritikuar nga opozita.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se programi qeveritar do të duhet të diskutohej qysh në seancën e parë pas votimit të Qeverisë.

“Në këtë rast, ajo që kemi parë, ky ekip qeveritar dhe ky kryeministër janë totalisht të papërgatitur dhe të paaftë për të qeverisur vendin. Ajo që menjëherë duhet të ndodhte pas votimit të Qeverisë është që të vinte programi qeveritar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Madje, Tahiri ka thënë se nuk kanë pritur një fillim të tillë të qeverisë së drejtuar nga Kurti.

“Realisht, ky ka qenë fillimi më i dobët i mundshëm i një qeverie. As ne si PDK nuk kemi pritur, duke pasur parasysh se Kurti ka qenë për 12 vjet në opozitë dhe ka qenë një lloj opozitari i zellshëm dhe kritikues jashtëzakonisht i madh i proceseve që kanë ndodhur në qeverisjet që PDK-ja ka drejtuar dhe ka qenë pjesë e tyre”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është skeptik ndaj përmbajtjes së programit që pritet të finalizohet nga Qeveria.

“Në kushte normale, në demokraci normale, plani qeverisës kryhet për dy ditë, sepse partitë politike para se të vijnë në pushtet e kanë të qartë se çka duan të bëjnë. Por, nëse nuk ka ide qeverisëse atëherë me siguri edhe plani qeverisës merr shumë kohë dhe ka me qenë plan “ad-hoc”, çka t’u bjerë ndërmend”, ka thënë Gjini.

Me qëllim të hartimit të programit qeverisës, Albin Kurti për dy ditë radhazi mbajti punëtori me anëtarët e kabinetit të tij. Pas takimeve të mbajtura, dy javë më parë, Kurti premtoi se programi qeverisës dhe plani i veprimit do të votohen së shpejti në Qeveri e të përcillen në Kuvend për diskutim.

“Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë, bashkë me punët drejt realizimit të tyre, do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim”, kishte shkruar Kurti në Facebook, më 12 prill.

Ai më tutje ka shtuar se në programin qeverisës do të reflektohen kërkesat e nevojat e qytetarëve.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është votuar në Kuvendin e Kosovës më 22 mars. Nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, pro Kurtit e kabinetit të tij votuan 67, derisa 30 deputetë ishin kundër.

Most Popular