Home Lajme 'Balonat' e Beogradit shfryhen në Prishtinë

‘Balonat’ e Beogradit shfryhen në Prishtinë

Një ‘non-paper’ i ri është zbuluar dje e sot ka hallakatur Kosovën. Dokumenti i publikuar fillimisht në Koha Ditore, e më pas edhe në Kallxo.com flitet se në Kosovë do të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

Përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

Kjo letër, e cila raportohet se është e shkruar nga Franca dhe Gjermania, është mohuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode. Ai ka quajtur lajm të rremë se kjo letër është shkruar një Gjermania dhe Franca.

Mirëpo, nuk e ka mohuar se kjo letër ekziston, por vetëm ka deklaruar se ajo nuk është një letër gjermano-franceze.

Njëjtë veproi edhe Ambasada e Francës në Kosovë, duke e mohuar se Franca është e përfshirë në të ashtuquajturin “non-paper” franko-gjerman.

Se ky dokument nuk është prodhim franko-gjerman po e beson edhe analisti Nexhmedin Spahiu. Ai për Syri Kosovën hedh dyshimet e tij se kjo letër u prodhua në Beograd, po si ajo që u lëshua nga Sllovenia, e që kanë vetëm një qëllim: rritjen e pazarit në bisedimet finale me Kosovën dhe largimin e presionit ndaj Serbisë për njohje.

Tani meqenëse doli që Franca dhe Gjermani e mohuan që ky dokument është i punuar nga ta, mbetet që ky dokument është prodhuar në Prishtinë ose në Beograd. Nëse është prodhuar në Prishtinë edhe pse nuk besoj që ka ndodh, për shkakun që nuk ka Prishtina kapacitete të tilla që të prodhojë dokumente që quhen balona sprovuese para negociatave zyrtare. Edhe Veton Surroi është tepër egocentrik që mund të gënjej, ai nuk mund të lëshoj një që tillë. Por, unë besoj që ky dokument është prodhuar në Beograd dhe qëllimi i tij është ta hedh në opinion publik edhe disa teza, që ta shmangin presionin e perëndimit që i bëhet Beogradit për njohje të menjëhershme të Kosovës. Në këmbim, natyrisht të ndonjë ndryshimi që do të bëjë Kosova, siç thuhet edhe në letrën e Bieden që ia dërgoi Presidentes Osmani.”

Spahiu vazhdon tutje duke thënë se në këtë dokument po bëhet një njohje faktike dhe se krahas gjërave të njohura deri më tani, u zbulua një term i ri, ai për autonomin e veriut të Kosovës.

Në këtë dokument po bëhet një njohje faktike të Kosovës, përsëriten gjëra veç janë të dakorduar në Bruksel e Uashington. E vetmja gjë që ajo vihet si risi, është përdorimi i termit autonomi për veriun e Kosovës. Beogradi para bisedave përfundimtare i ka bërë dy balone sprovuese, një që e ka shitur përmes Lubjanës, e një përmes Prishtinës, njëra shkëmbim territoreve e tani këtë me autonomi. Qëllimi është thjeshtë ta ngre pazarin në këto bisedime përfundimtare”.

Ndër të tjera, Spahiu thotë se Kurti dhe gjithë spektri politik i Kosovës duhet të kërkojnë njohjen e pavarësisë nga Beogradit menjëherë dhe të mos ketë më asnjë lëshim.

Diku do të duhet të arrihet një mes, kompromis, por Zajednica nuk duhet të hyjë në fuqi pa njohje eksplicite nga Beogradi, e jo siç po deklaron Bërnabiç. Sepse nëse e bënë këtë, atëherë çfarë do të kërkojë Kosova për njohje? Prandaj çka është mjaft, është mjaft dhe pazari duhet të këputet tani, e jo të bëhen lëshime. Është e çuditshme që as Kurti e as liderët opozitar nuk reaguan nga baloni që u lëshua në Lubjana, e as tani të këtij në Prishtinë” – përfundon Spahiu për Syri Kosova.

Kurse, analisti tjetër, Artan Demhasaj, shprehet për Syri.net se ky dokument është tepër i rrezikshëm dhe se në gjithë ato që thuhen aty, mungon vetëm emri republikë.

 “Nëse e analizojmë në detaje këtë dokument, është tepër i rrezikshëm, flet për një autonomi të zgjeruar të veriut të Kosovës, për të mos thënë një republikë e thjeshtë. Aty shihet të ketë kompetenca ekzekutive, legjislative, gjyqësore, thjeshtë po i mungon emri republikë, ndryshe nuk mundet me qenë. Mendoj që është ma e rrezikshmja deri më sot që kemi parë në publik, nga propozimet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Qeveria duhet ta marr me seriozitet këtë dokument dhe ta fillojë ta përgatisë platformën për dialog në mënyrë që të mos rrezikohet duke vendosur të tjerët për ne”.

Demhasaj shton se kryeministri Kurti nuk duhet të dorëzohet, përkundrazi, duhet të vendos  sa më parë masën e reciprocitetit.

Nuk mendoj që Kurti duhet mu dorëzua ose mu tërheq. Mirëpo përkundrazi duhet të qëndrojë dhe të punojë, të tregojë forcën dhe vendosshmërinë e tij, që çka do që është e rrezikshme të mos pranohet nga Kosova. Po besoj se është koha që masa e reciprocitetit të vihet në funksion, si një lloj strategjie për ta ndaluar këtë temë që është mjaft e rrezikshme. Njëjtë siç u veprua me taksën ndaj Serbisë të vazhdohet me reciprocitet kur filloi të përmendet tema për shkëmbim territorit” – përfundon Demhasaj.

E në anën tjetër për këtë ‘non-paper’ ka folur dhe ish kryeministri, Avdullah Hoti që deri dje bisedoi me Vuçiqin dhe arriti edhe marrëveshje në Uashington.

Hoti ka thënë se sa ishte kryeministër i vendit, asnjëherë nuk iu është prezantuar një ide e tillë nga askush.

Ai ka treguar se me marrjen e detyrës si kryeministër në qershor të vitit të shkuar, ka përgatitur një platformë të cilën ua ka dërguar të gjitha vendeve të Quintit dhe në Bruksel.

“Kur unë e kam marrë detyrën në qershor të vitit të kaluar, e kam përgatitur platformën për dialog. Aty janë specifikuar parimet e qarta të dialogut: Dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës janë të pagenociueshëm. Pastaj, kemi shtruar temat me të cilat fillon dialogu, ku tema e të pagjeturve ka qenë e para. Këto parime dhe kjo platformë është prezantuar te qeveritë e vendeve të Quintit dhe në Bruksel. Dhe mbi këto parime ne kemi zhvilluar dialogun”, deklaroi Hoti.

Ndaj këtij dokumenti reagoi edhe presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ‘dikush po tregohet më dredharak se ai”.

Vuçiqi ka tha se kjo ka rrjedhur nga dikush që është shumë “i familjarizuar me raportet në Ballkan dhe është i interesuar për raportet midis serbëve dhe shqiptarëve”.

“Një pjesë në këtë letër është njohja e pavarësisë së Kosovës – gjë që është e tmerrshme dhe ka gjëra që janë 90 për qind më pak të rëndësishme, por shumica e çështjeve janë të rëndësishme për ne”, ka thënë ai.

Most Popular