Home Lajme Hoti favorizoi bizneset e lidhura me Isa Mustafën dhe PDK-në?

Hoti favorizoi bizneset e lidhura me Isa Mustafën dhe PDK-në?

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati para pak ditësh ka bërë publike listën e përfituesve nga Pakoja e Rimëkëmbjes gjatë pandemisë, në kohën kur Avdullah Hoti ishte kryeministër.

Përfituesit me të mëdhenj ishin pronarë biznesesh që njihen si milionerë në Kosovë. Ndër përfituesit më të mëdhenj ishte VivaFresh, duke pasur me Ramiz Kelmendin, pronar i Kompanisë Elkos, të cilin Hoti e financoi me mbi gjysmë milionë euro apo 675 mijë e 845 euro. Po ashtu përfitues i kësaj pakoje ishte edhe Besnik Berisha, ish këshilltari i Isa Mustafës. Kompania e sigurisë ‘Balkan International SHPK’ që për drejtor dhe pronar ka Besnik Berishën ka përfituar mbi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti.

Pas kësaj ka pasur reagime të shumta, duke e quajtur këtë një skandal të madh të Qeverisë Hoti dhe duke kërkuar nga Prokuroria që të merret me këtë çështje, pasi buxheti i Kosovës është dëmtuar shumë për të financuar ‘pasanikët’ e Kosovës, në kohën kur vendi ishte në një krizë të thellë.

Vlen të theksohet se këto kompani që kanë marrë ndihmat më të mëdha nga shteti, nuk e kanë ndalur punën në kohë pandemie.

Profesori universitar dhe drejtori i Institutit për studime evropiane, Enver Bytyҫi, ka thënë se ky është një skandal i vërtetë, pasi Qeveria Hoti ndihmoi oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo është bërë me udhëheqjen e Isa Mustafës.

Për këtë, ai kërkon që të merret drejtësia me hetimin e këtij skandali.

“Përfituesit milionerë të qeverisë Hoti janë një skandal i vërtetë. Kjo dëshmon se ajo qeveri e zgjati jolegjitimitetin e saj deri te ndihma për oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Dhe kam bindje se gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës. E vetmja arsye pse Avdullah Hoti nuk duhej të ishte kryeministër ka të bëjë me faktin se ai ishte dhe mbetet i gatshëm t’u përulet deri te sholla e këpucës ripave të tillë si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. E kur një kryeministër ka një karakter të tillë, atëherë ai shndërrohet në vegël dhe jo mjet të shërimit të plagëve të vendit të tij. Si i tillë, zoti Hoti nuk ka pasur asnjë shans të vepronte ndryshe. Në vend që të kujdesej për mjekët, infermierët, arsimtarët, për të gjithë ata që janë përballur e po përballen me pandeminë, Hoti ka shpërblyer të pasurit e Kosovës. Në vend që t’u kërkonte atyre solidaritet për pjesën e dëmtuar nga kjo pandemi, biznesin e vogël e të punësuarit, u jep dhjetëra milionë euro atyre që nuk kanë as nevojë, as të drejtë ta marrin këtë ndihmë. Është vërtet skandal i madh. Duhet që me këtë rast, i cili ngjan me qeverisjen e Edi Ramës, të merret drejtësia. Medoemos drejtësia. Madje duhet që me një vendim parlamenti paratë të kthehen në buxhetin e shtetit. Ai që nuk i kthen të përballet me sekuestrimin e pasurisë. Thjeshtë mund të tolerohet afati i kthimit, por kurrsesi moskthimi”, ka deklaruar ai.

Most Popular