Home Sport Man. United luan tenis me Romën dhe prek finalen, Arsenali bie në...

Man. United luan tenis me Romën dhe prek finalen, Arsenali bie në Spanjë

Manchester United ka triumfuar me rezultatin e thellë 6-2 ndaj Romës në gjysmëfinalen e parë dhe ka vënë një këmbë në finalen e Gdanskut, pasi ndeshja e kthimit pritet të jetë vetëm një formalitet për “djajtë e kuq”.

Në “Old Trafford” gjithçka nisi keq për Romën, që u detyrua të kryejë tre zëvendësime të detyruara që në pjesën e parë, teksa në minutën e 9’ portugezi Bruno Fernandes kaloi në avantazh “djajtë e kuq”, pas një kombinimi perfekt me Pogba e Cavanin.

Megjithatë reagimi i verdhekuqve ishte mjaft i mirë, pasi në minutën e 15’ fituan një penallti për prekje me dorë nga ana e Pogba në zonë, ndërsa kapiteni Lorenzo Pellegrini nuk gaboi nga pika e 11-metërshit, duke rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 34-t Roma zbriti sërish në një kundërsulm të shpejtë, teksa këtë herë Pellegrini shërbeu në mënyrë perfekte për Dzekon, që vetëm një hap larg vijës fatale, shtyu topin në rrjetë për herë të dytë, duke dërguar italianët në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.

Megjithatë pjesa e dytë foli totalisht për vendasit, që rikthyen baraspeshën me anë të Cavanit në minutën e 48’, ndërsa në të 64-ën ishte sërish sulmuesi uruguaian që dërgoi topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin “djajve të kuq”.

Bruno Fernandes me penallti, Paul Pogba dhe Greenwood kompletuan suksesin 6-2 për Manchester United, që prek kështu finalen e Gdanskut, ndërsa trajneri Fonseca ndoqi i dëshpëruar shkërmoqjen e të tijve, pasi nuk kishte më mundësi ndërhyrjesh për të freskuar ekipin.

Një sfidë mjaft interesante ishte edhe ajo e zhvilluar në “Estadio de la Ceramica” të Villarealit, ku vendasit ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-1 përballë Arsenalit, ndërsa Unai Emery i dha një leksion “të hidhur” ish skuadrës së tij.

“Nëndetësja e verdhë” zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të me anë të Trigueros, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe lëshoi një diagonale të fortë, duke mposhtur gjermanin Bernd Leno.

Në minutën e 29’ ishte mbrojtësi veteran Raul Albiol që mposhti për herë të dytë portierin Leno dhe dyfishoi avantazhin e spanjollëve, ndërsa në minutën e 57’ Ceballos mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë “topçinjtë” me 10 futbollistë.

Villareali nuk ia doli të shfrytëzojë epërsinë numerike, duke shpërdoruar disa raste të mira shënimi, ndërsa në minutën e 73-të Saka fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol sulmuesi Nicolas Pepe, duke rihapur ndeshjen.

Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i ndeshjes, Capoue mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Villarealin me 10 futbollistë, duke bërë që forcat në fushë të balancoheshin, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar dhe finalistja do të përcaktohet në sfidën e kthimit në Londër.

Most Popular