E premte, 25 Qershor, 2021

Ky vendbanim shqiptar dikur ishte Komunë, tash nuk ka mbetur as fshat

Zarbinca e komunës së Bujanocit, është qendër e fshatrave Priboc, Qarr, Suharnë dhe Novosellë. Këtu ka ekzistuar dikur edhe zyra e gjendjes civile, e cila u dogj e u shkatërrua nga zjarri para disa kohësh.

Edhe shkolla fillore “Skënderbeu”, që dikur numëronte mbi 300 nxënës, mbeti fole e zogjve dhe merimangave, pas dëbimit të popullatës.

Në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, dhuna ndaj popullsisë shqiptare, ka qenë intensive.

Djegia e zyrës së ofiqarisë, në vitin 2012, që këtu ekziston prej luftës së dytë botërore, ishte një tentim i pushtetit serb për zhdukjen e të dhënave të qytetarëve të kësaj Malësie, me qëllim të zvogëlimit në minimum të numrit të popullsisë shqiptare në komunën e Bujanocit.

Libri i regjistrimit të lindjeve, tregon se këtu ka jetë prej vitit 1800. Deri në vitin 1956, Zarbica e kishte statusin e Komunës, sikurse që e ka sot Bujanoci.

Me regjistrimin e vitit 1991, kjo bashkësi lokale numëronte 3.396 banorë.

Prania shumë e madhe e policisë dhe xhandarmërisë serbe në këtë rajon, ku këto forca u vendosën pas luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës, e rriti frikën e banorëve për të jetuar në shtëpitë e tyre, sikurse edhe e bëri të pamundur kthimin e të zhvendosurve.

Zarbinca është vendlindja e patriotit Sylë Zarbinca, i cili jetoi dhe vdiq me idealin për bashkimin e trojeve shqiptare.