Monday, September 20, 2021

A po mbyllemi sërish?

Varianti ‘Delta’ ka shpërthyer fuqishëm në vendin tonë dhe nuk po njeh moshë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus 2 mijë 295 qytetarë, duke e listuar Kosovën ndër vendet në rajon me numrin më të lartë të infektimeve.

Megjithëse vaksinimi në nivel vendi vazhdon çdo ditë, ka shumë qytetarë që ankohen se nuk po gjejnë termine të lira nëpër Qendrat e Vaksinimit.

“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i pyetur më gjerësisht se si po shkon procesi i vaksinimit.

Në përgjigjen e tyre thuhet se gjithçka po shkon mirë aktuliasht dhe se deri tani ka mbi 775 000 doza te administruara dhe nje trend ditor qe sillet rreth 20 mijë doza në ditë.

“Procsi i vaksinimit po ecen mirë aktualisht. Ka mbi 775 000 doza të administruara tani dhe një trend ditor që sillet rreth 20 mijë doza në ditë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

MSH-ja gjithashtu në përgjigjen e saj ka thënë se stogu i vaksinave për momentin është i qëndrueshëm.

“Stoku i vaksinave për momentin është i qëndrueshëm, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe interesimi i qytetarëve” thuhet në përgjigjen e MSH-së

Ne pyetjen drejtuar MSH-së se a pritet të ketë masë të tjera shtesë pas rritjes së rasteve me Covid, nuk ka marrë një përgjigje në lidhje me këtë çshtje.

Në intervalin kohor të 24 orëve të fundit në vendin tonë kanë humbur jetën fatkeqësisht nga Coronavirusi edhe 18 qytetarë.

Për situatën e rënduar pandemike në Klinikën Infektive ka folur dje edhe UD. i drejtorit të kësaj klinike, Arben Vishaj.

Edhe në Spitalet e tjera Rajonale në raportet e tyre 24 orëshe po flitet për të një situatë të rënduar dhe mbushje të kapaciteteve spitalore.

Varianti ‘Delta’ është përhapur gjerësisht në vendin tonë po prek kryesisht moshat e reja nga 20 deri në 40 vjeç.

Kështu tha për “Gazeta Blic” infektologu Hamdi Ramadani.

“Për fat të keq vendi ynë është i atakuar, gjendet në valën e pandemisë Covid-19 me virusin “Delta’, i cili po njeh shifra të mëdhaja të infeksioneve dhe të vdekshmërisë. Po e prek çdo moshë por mosha më e atakuar është 20 deri 39 vjeç, por po prek edhe moshat e vogla, nga 1 deri në 10 vjeç gjithashtu edhe moshën e shtyrë sepse kjo nuk ka kufizime. Prandaj qytetarët duhet të përdorin maskat si dhe të marin vaksinën anti Covid në një dozë ose dy është e rëndësishme për të ndalë përhapjen, shpërndarjen, transmetimin e virusit Delta Covid-19. Sepse edhe personat që kanë marrë një ose dy doza në një përqindje të vogël janë bartës të virusit “Delta” tha Ramdani .

Në nivel vendi aktualisht janë 24 mijë e 939 raste aktive me Covid-19, ndërsa në total numri i dozave të administruara shkon në 764 mijë e 775 qytetarë.