Monday, September 20, 2021

Correa: Gjithmonë kam ëndërruar të luajë për Interin

Joaquin Correa ka debutuar në mënyrë fantastike me ekipin e ri.

Correa u transferua para pak ditësh te Interi në formë huazimi për një vit me obligim blerje më pas për 30 milionë euro, transmeton lajmi.net.

Menjëherë në debutim futbollisti shfaqi kualitetet e tij duke qenë protagonisti kryesor në fitoren e ‘Nerazzurëve” mbrëmë ndaj Veronës 3-1.

Sulmuesi u inkuadrua në lojë në min e 74’ kur rezultati ishte 1-1, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë në min e 83’ i dha epërsinë Interit, dhe fitoren e vulosi me një gol tjetër të bukur në min 90+4’.

Pas ndeshjes 27-vjeçari u shpreh i lumtur me golat që realizoi në debutim:

“E kam ëndërruar këtë ditë që kur isha fëmijë, në kohën kur shikoja shumë bashkëkombës të mi argjentinas që luanin për Interi”, tha fillimisht ai.

“Si fëmijë kam ëndërruar të jem këtu dhe sot për herë të parë e kam veshur këtë fanellë dhe falënderoj Zotin që fituam me golin tim”, vazhdoi ai.

“Të gjithë shokët më kanë pritur shumë mirë, unë duhet të tregojë shumë në fushë dhe kam dëshirë të madhe për ta bërë këtë. Ky ekip ka shumë kualitet, besoj që mund të arrijmë suksese të mëdha”, përfundoi Joaquin Correa.

Dy golat e bukur që realizoi Correa mbrëmë ndaj Veronës.