Monday, September 20, 2021

Ajaxi është super, mposht me 5 gola Vitessen!

Ekipi i Ajaksit hodhi shpejt pas krahëve zhgënjimin e javës së kaluar, teksa shkatëroi Vitesse-n brenda në Amsterdam. Kampionët në fuqi i dhanë në këtë mënyrë një shuplakë të fortë skuadrës nga Arnhemi, duke fiksuar shifrat 5-0, për t’u ngjitur menjëherë në shkallët e sipërme të klasifikimit në Eredivisie. Një rezultat që mungonte prej plot 17 vjetësh në Amsterdam, në sfidat ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet, sidoqoftë bëhet fjalë për një ndeshje pa shumë histori, fati i së cilës u vulos që në fraksionin hapës të takimit. Pas golit të pësuar në fund të duelit me Twente-n, javën e kaluar në Enschede, që iu kushtoi humbjen e dy pikëve, si dhe pesë golave të shënuar të shtunën në mbrëmje nga PSV Eindhoveni “harkëtarët” u kthyen në rrugën e fitoreve dhe seria e golave u hap që në fillim, pas depërtimit të shpejtë të brazilianit Antony, që gjeti skajin më të largët të portës mike me një gjuajtje të fortë dhe tepër të saktë.

Në vazhdim vendasit iu afruan disa herë golit tjetër, megjithatë ekipi i drejtuar nga trajneri Erik Ten Hag ia doli mbanë për të dyfishuar shifrat pas dicka më tepër se gjysmë ore lojë, falë realizimit të meksikanit Edson Alvarez, që me ndihmën edhe të Sistemit VAR iu gëzua golit të parë sezonal. Ndeshja u duk e mbyllur, gjithsesi për të hequr cdo lloj dyshimi mendoi mesfushori i talentuar Ryan Gravenberch, që shënoi gjithashtu golin e tij të parë të këtij edicioni të kampionatit holandez, për të dërguar në interval skuadrat me rezultatin 3-0 në favor të kampionëve në fuqi.

I pakënaqur nga paraqitja e shumë futbollistëve të tij trajneri gjerman i Vitesse-s Thomas Letsch kreu tre zëvendësime që në startin e pjesës së dytë, megjithatë muzika nuk ndryshoi dhe vendasit i shtuan rezultatit edhe dy gola të tjerë. Fillimisht nën presion mbrojtësi çek Tomas Hajek devijoi në mënyrë të pafat në portën e tij, ndërsa në trecerekun e takimit pati lavdi gjithashtu edhe për mesfushorin Davy Klaassen, që shënoi golin e pestë të ndeshjes nga shumë pranë portës së mbrojtur nga Schubert. Falë fitores 5-0 Ajaksi u ngjit menjëherë në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm në Eredivisie, me vetëm dy pikë më pak se sa ekipi i PSV Eindhoven-it, që kryeson tabelën e renditjes me pikë të plota pas tre javëve të para të kampionatit holandez.