Tuesday, September 21, 2021

Çka është Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe kush e kryeson atë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka thirrur urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pasi sitauta me koronavirus është bërë tragjike në Kosovë.

Mbledhja, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit ka nisur nga ora 17:00.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.

Por çfarë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare?

Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga kryeministri Albin Kurti, derisa pjesë përbërëse janë edhe drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe të tjera.

Pjesë e këtij këshilli janë edhe drejtori i AKI-së, drejtori i Policisë së Kosovës dhe ai i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës kryesohet nga Kryeministri me mbështetje nga Qeveria, përveç gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj.

Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përgatit strategjinë e sigurisë për Republikën e Kosovës. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Republikën e Kosovës.

Ky këshill, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme.