Monday, September 20, 2021

Selimi-Arben Vitisë: Ministër a Prishtinën a vaksinën?

Ish-ministri i drejtësisë Selim Selim ka reaguar pas regjistrimit të 36 viktimave nga COVID-19 në Kosovë.

Me këtë rast, ai e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia “a Prishtinën a vaksinën?”

Selimi ka thënë se Qeveria duhet të bëj mobilizimin e mjekëve dhe teknikëve që të përshpejtohet procesi i vaksinimit.

Sipas tij, prioritet mbi prioritetet duhet të jetë trajtimi i dinjitetshëm i mantilbardhëve dhe sigurimi i vaksinave.

Reklamë
Shkrimi i tij i plotë:

Shfrenimi i Qeverisë Kurti, duke e injoruar vaksinimin e qytetarëve, po sjell pasoja katastrofale për qytetarët tanë.

36 qytetarë humbën jetën sot dhe dhjetëra të tjerë gjatë ditëve të fundit. Kjo gjendje kërkon reagim dhe mobilizim të përgjithshëm, e jo shkurtime buxhetore për mantilbardhët.

Qeveria të bëjë mobilizimin e përgjithshëm të mjekëve dhe teknikëve me njësi mobile që të përshpejtohet procesi i vaksinimit.

Prioritet mbi prioritetet duhet të jetë trajtimi i dinjitetshëm i mantilbardhëve dhe sigurimi i vaksinave, e jo të pritet lëmoshë në kohën kur per çdo ditë na vdesin me dhjetëra qytetarë.

Ministri i Shëndetësisë s’mundet ta fajësojë popullin për mosvaksinim, ai e din se ka përgjegjësi morale e juridike në këtë rast.

Shembujt e një organizimi të mirëfilltë ka mundur t’i marrë në shtetet që e kanë kryer me sukses vaksinimin e jo krejt Kryeqyteti me një pikë vaksinimi. Shto këtu edhe vonesën dhe mungesën e vaksinave.

Ministër a Prishtinën a vaksinën?