Monday, September 20, 2021

Ministri i Serbisë: Të gjitha vendet që vizitova në Afrikën nën-Sahariane s’e njohën Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka zhvilluar një vizitë 11 ditore në vendet e kontinentit Afrikan.

Ai tha se të gjitha vendet në Afrikën nën-Sahariane që ai vizitoi nuk e njohën pavarësinë e Kosovës, dhe se sipas tij “shumë zyrtarë e shfrytëzuan rastin për ta përsëritur këtë qëndrim në bisedimet me delegacionin serb”.

Selakoviq tha se arsyeja kryesore për vizitën e tij në Afrikë ishte shpërndarja e vaksinave.

“Serbia, e cila ishte në prag të kolapsit shtatë vjet më parë, sot, falë politikës përgjegjëse dhe vizionare të presidentit Aleksandar Vuçiq, që Serbia ka ardhur në situatën e dhurimit të më shumë se 200,000 vaksinave për miqtë”, tha ai për TV Pink, transmeton Klankosova.tv.

Shefi i diplomacisë serbe theksoi se vaksinat iu dhuruan Libanit, Zimbabve, Zambisë, Namibisë dhe Angolës, dhe se ndërkohë, kontingjente vaksinash iu dorëzuan Tunizisë dhe Iranit.

Duke folur për vizitën në Afrikë, ministri serb deklaroi se delegacioni që ai drejtoi përshkoi 20 mijë e 434 kilometra në 11 ditë.

Ai shtoi se gjatë vizitës ai bisedoi me katër krerë shtetesh, me presidentët e Libanit, Angolës, Namibisë dhe Egjiptit, shtatë ministra të jashtëm, dy zëvendësministra të jashtëm, nëntë ministra të tjerë në vende të tjera, një shef shtabi, dy kryeministra dhe tre kryeparlamentar.