Monday, September 20, 2021

Qytetari duke marrë infuzion në oborr të ambulantës, reagon drejtori

Në media sot ka qarkulluar një fotografi ku shihet një qytetar nga Lipjani, duke u trajtuar në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan. Ai shihet duke marrë infuzion, që është i vendosur në një pemë.

Pas publikimit të këtyre fotografive, ka reaguar edhe Drejtori i QKMF’së, Agim Krasniqi.

Ai ka thënë se rasti ka filluar të hetohet menjëherë, derisa ka paralajmëruar se do të merren masa lidhur me rastin nëse konstatohen shkeljet e supozuara.

“Ky rast ka filluar të hetohet menjëherë nga Koordinatori i cilësisë, pse është kryer ky veprim kur kemi mjaft shtretër për trajtim të pacientëve, pacienti nuk guxon të trajtohet në ambient të jashtëm. Po ashtu edhe shkeljeve tjera të supozuara. Pas kryerjes së proceduarave do të merren masa lidhur me rastin nëse konstatohen shkeljet e supozuara.

Për arsye se nuk ka asnjë justifikim ky veprim, kur kemi hapësira të caktuara për trajtim e pacientëve”, ka shkruar tutje Krasniqi në një reagim që i ka dërguar portalit Indeksonline.