Tuesday, September 21, 2021

Sot pritet të vijë grupi i dytë i afganëve në Kosovë

111 afganë kanë mbërritur të dielën mbrëma në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Të njëjtit janë vendosur në kampin e Bechtel Enkas i cili ndodhet përballë Bondsteelit në Ferizaj.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme pritet edhe grupi i dytë i afganëve në Kosovë. Kështu ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër. Kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë sa i takon nisjes së aeroplanëve të tyre për në Kosovë. Numri nuk është përcaktuar saktë…”, u shpreh ai ndër të tjera.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova u jep mundësi afganëve në krijimin e jetëve të reja.

“I nderuar që i shoqërova liderët kosovarë dhe ambasadorët e shteteve QUINT-it për ta mirëpritur grupin e parë të afganëve që janë evakuuar në Prishtinë”, ka thënë ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’.