Tuesday, October 26, 2021

Gjashtë zyrtarë të policisë janë lënduar gjatë aksionit në veri

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se aksioni kundër kontrabandës i zhvilluar të mërkurën (13 tetor) ka përfunduar dhe se i njëjti është është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veriut, sipas policisë, grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të kombësisë shqiptare dhe 1 i kombësisë serbe. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë.

Gjatë aksionit policia ka sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

“Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë./REL