Tuesday, October 26, 2021

Erdogani bën shkarkime të reja, lira bie në nivel rekord

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të enjten shkarkoi tre anëtarë të Komisionit për Politika Monetare në Bankën Qendrore dhe emëroi dy të tjerë në këto pozita, thuhet në njoftimin e publikuar në gazetën zyrtare, duke e çuar vlerën e lirës turke në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se personat e shkarkuar janë zëvendësguvernatorët Semih Tumen dhe Ugur Namik Kucuk, bashkë me një anëtar tjetër të komisionit, Abullah yavas, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Presidenti turk e emëroi Taha Cakmak-un si zëvendësguvernator të Bankës Qendrore, ndërsa ysuf Tuna-n si anëtar të Komisionit për Politika Monetare. Analistët e panë këtë vendim si dëshmi të freskët të ndërhyrjes politike nga Erdogani, i cili e ka portretizuar veten armik të shkallës së interesit dhe shpesh bën thirrje për uljen e saj.

Pas njoftimit për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të Bankës Qendrore, lira turke ra në nivelin më të ulët ndonjëherë. Një dollar amerikan po këmbehet me 9.19 lira turke, duke shënuar 1 për qind rënie ditore. Vetëm këtë vit, vlera e lirës ka rënë për rreth 19 për qind, kryesisht për shkak të shqetësimeve rreth politikave monetare.

Një burim i tha agjencisë “Reuters” se Yavas dhe Kucuk së fundi kishin kundërshtuar disa vendime të Komisionit për Politika Monetare, përderisa Kucuk kishte qenë edhe kundër shitjes së rezervave për ta përkrahur lirën në të kaluarën.

Ndryshe, Erdogani ka bërë një varg ndryshimesh në Komisionin për Politika Monetare të Bankës Qendrore. Për dy vjet e gjysmë, ai ka shkarkuar tre guvernatorë, duke e dëmtuar vlerën e valutës kombëtare.