E premte, 27 Shtator, 2024

Gratë, djemtë, vajzat e miqtë… Nepotizmi masiv në FFK

Pas artikullit të parë të vetëm një pjese të skemës korruptive që Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka instaluar në FFK, Albanian Post ka deshifruar edhe nepotizimin masiv që është bërë në Shtëpinë e Futbollit, e cila është shndërruar në një “çerdhe” ku punësohen gratë, djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë që punojnë aty.

Pas një hulumtimi të gjatë që ka bërë Albanian Post, ka kuptuar për disa nga emrat e familjarëve të zyrtarëve të FFK-së që janë sistemuar ndër vite.

Ashtu edhe siç pritej, nepotizmi në FFK fillon nga kreu i saj, Agim Ademi. Ai ka punësuar në FFK mikun e tij, përkatësisht djalin e vëllait të gruas së tij.

Emri i tij është Indrit Canolli, derisa pozita që ai e mban në FFK është tejet e rëndësishme; ekspert financiar.

Punën te burri i hallës së tij, Canolli e ka filluar nga viti 2021. Fillimisht, Ademi e pagoi 850 euro, por çuditërisht më pas i dyfishohet në 1 mijë e 727 euro.

“Dhuratat” për të nuk përfundojnë me kaq. Kompensime tjera Indit Canolli i merr shtesë në shumën totale prej 7 mijë e 913 euro për vitin 2021.

Po ashtu, ai është caktuar në komision për licencim ku ka marr plus 3 mijë 500 euro shtesë dhe është angazhuar po ashtu edhe në sistemin VAR.

Pozitë të rëndësishme në FFK, atë të shefes për marketing, ka edhe ish-gazetarja Alba Morina.

Alba është vajza e trajnerit të Kosovës për grupmoshat “U17”, Arbnor Morina, i cili ka qenë edhe ndihmës trajner i Kombëtares A të futbollit, por edhe trajner i disa klubeve në Superligë.

Në administratë të FFK-së është punësuar edhe Agron Shosholli, i biri i ish trajnerit veteran, Ajet Shoshollit, i cili është shumë i zëshëm nëpër studio televizive në mbrojte të “liderit suprem” të FFK-së.

Edhe trajneri tjetër i disa klubeve në Kosovë, tash anëtar i Komisionit për Licencimin e Klubeve për Gara Ndërkombëtare, Jusuf Tortoshi, i cili defilon nëpër studio televizive duke i dalë “krahë” Agim Ademit për kritikat ndaj këtij të fundit, e ka të punësuar vajzën në këtë institucion të sportit.

Berina Tortoshi, vajza e Jusufit, punon si zyrtare për media në FFK. Tre anëtarë të familjes në FFK ka të punësuar Agim Hasani, president i klubit nga kryeqyteti “Flamurtari”, njëherit delegat në FFK.

Djali i tij Rrezarti është gjyqtar. Përparimi, vëllai i Agimit, mban pozitën e kryetarit të Komisionit të Gjyqtarëve.

Albanian Post merr vesh se si recepsioniste për një kohë në FFK kishte punuar edhe Erëza Hasani, vajza e Perparimit, por që më nuk është pjesë e FFK-së.

Nepotizmi në FFK nuk përfundon me kaq.

Pjesë e tij është edhe Alban Bellopoja, i angazhuar në FFK si ligjërues i trajnerëve për Licencën UEFA B për trajnerë. Albani është i biri i Avdyl Bellopojes, i cili është kryetar i Komisionit të Garave në FFK.

Djalin e tij e ka punësuar edhe nënkryetari i FFK-së, Baki Burri. Egzoni është i punësuar në Ligën Rajonale të Pejës.

Ndërsa, kryetari i Ligës Rajonale të Prishtinës, Ismajl Ajeti, ka të punësuar gruan. Përveç kësaj, edhe vëllai i tij Aliu është delegat.

Në administratë të FFK-së punon edhe Rinor Havolli, djali i vëllait të Gani Havollit, kryetar për delegimin e gjyqtarëve për Superligë dhe Ligë të Parë.

Pos punësimeve të familjarëve të kolegëve e miqve të tij brenda FFK-së, Ademi ka shpërblyer edhe familjarët e tij. Ai dyshohet se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së, për të paguar biletat e aeroplanit “VIP” (më të shtrenjtat) për familjarët e tij, konkretisht për djalin dhe bashkëshorten.

Me buxhetin e FFK-së, me datë 04.02.2021, në agjencionin “Fly Fast”, Ademi dyshohet se ka paguar bileta të aeroplanit për në vendet arabe në vlerë prej 3 mijë e 900 euro.

Kjo çështje është duke u hetuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Këto bileta janë shfrytëzuar për vete, djalin e tij dhe bashkëshorten e tij, vajtje – ardhje Prishtinë – Stamboll dhe Katar”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Se djali i Ademit, këngëtari i njohur me nofkën “Capital T”, ka qenë në këtë periudhë kohore në Dubai është lehtë e verifikueshme. Kjo pasi që ai vet ka publikuar fotografi në rrjete sociale në një prej qyteteve më luksoze të Lindjes së Mesme.

Vazhdon…

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer