Saturday, November 27, 2021

Haki Abazi largohet nga Vetëvendosja? Ky i fundit ka disa fjalë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi para pak ditësh ka vendosur që ta bojkotoj njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Pas këtij bojkoti, Abazi perms një shkrimi në Facebook, pati lënë të kuptohet se ky bojkot po bëhet për shkak të pakënaqësisë ndaj partisë së tij.

I kontaktuar nga Syri.net Kosova, Abazi ka refuzuar të jap përgjigje se pse ndodhi ky bojkot.

“Urdhno…jojo në rregull jem” shprehet Abazi pas insistimit të gazetarit për të marrë përgjigje.

Ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë ‘Kurti I’ i cili u kontaktua nga ana e portalit, gjatë kohës sa po mbahej seanca dha sinjale se ai nuk gjendet as sot në seancë.

Abazi në disa pamje nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, nuk shihet se është i pranishëm në seancë.

E deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ironizuar  me mungesën e deputetit të VV-së në seancat e Kuvendit.

“Hakiu mungon”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka treguar se deputeti Abazi nuk ka shkuar as sot në seancë.

Ndryshe, zyrari i vetëm nga nga Lëvizja Vetëvendosje, që ka folur për këtë temë ka qenë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

 Gjatë mbrëmjes së kaluar ka folur për pakënaqësitë që ka paraqitur bashkëpartiaku i ti.

Konjufca ka thënë se i di problemet e tij dhe se janë të zgjidhshme. Ai thotë se mes tyre s’ka ndonjë pakënaqësi.

“Nuk i di të sakta por ka thënë se do të bashkëbisedoj me kryeministrin dhe shefen e grupit parlamentar,. Është zgjedhja e tij por nuk ka diçka personale që me thanë që do të shkaktojë pasoja për grupin parlamentar. Të gjitha problemet që i ka janë të zgjidhshme”, tha Konjufca.

“Ai e ka nda statusin në Facebook. Unë jam shumë i hapur dhe në momentin që më kërkon takim, i kam taku. I ka problemet të natyrave të tjera, të mënyrës së funksionimit të grupit paralamentar, ka problem me relacionet me Qeverinë…”

Kush është Haki Abazi?

Haki Abazi është lindur më 9 dhjetor të vitit 1974 në Prishtinë. Ai është i diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi.

Në zgjedhjet e vitit 2019 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe mëpastaj Zëvendës Kryeministër në Qeverinë Kurti.

Në zgjedhjet e vitit 2021, ai arriti të zgjedhej deputet, mirëpo në Qeverinë ‘Kurti II’ nuk mbanë ndonjë funksion të lartë shtetëror

Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare. Ka rreth 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare, dhe deri më tash numëron një shifër të lartë të projekteve të realizuara.

Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza dhe artikuj akademik në media dhe gazeta profesionale, si dhe ka zhvilluar programe unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Është mbështetës dhe promovues i politikave që luftojnë ndryshimet klimatike dhe perkrahës i mbrojtjes së mjedisit në Kosovë dhe rajon.

Është i martuar dhe ka tre femijë.