Aksion i madh i Prokurorisë Speciale, Policia arreston 9 persona të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka zhvilluar të dielën në orët e hershme të mëngjesit një operacion në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për krime lufte.
Operacioni, i koduar si “Dosja 23”, është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara policore dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Institucionet kanë bërë të ditur se për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.





