Amerikanët në mbështetje të prokurorit Isufaj, i cili po sulmohet vazhdimisht nga Qeveria Kurti
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar sërish me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ky është takimi i dytë brenda dy javë.
Këto takime vijnë në një periudhë kur kryeprokurorit Isufaj ka qenë i sulmuar vazhdimisht nga pushteti.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, takimi është zhvilluar në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit me Prokurorinë Speciale, me fokus luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së.
“Dje, e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati u takua me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, për të diskutuar mbi vazhdimin e bashkëpunimit tonë të suksesshëm me PSRK-në dhe luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, siç janë terrorizmi, kontrabanda e drogës dhe e migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ky është takimi i dytë i bërë publik mes Prattipatit dhe Isufajt gjatë muajit shtator. Ata ishin takuar edhe më 11 shtator, kur kishin diskutuar për punën e Prokurorisë Speciale dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Në atë takim, PSRK-ja kishte falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale dhe për bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Duhet theksuar se Kryeministri, Albin Kurti, në maj të këtij viti kishte deklaruar publikisht se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe kishte thënë se “duhet kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”.
Ndërkohë, më 2 shtator, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e kishte miratuar raportin e punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, pas raportimit të Isufajt, përkundër punës së mirë në vazhdimësi. Se fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj vrasjeve në lagjën Jasharaj në Prekaz.
Më 4 shtator 2026, PSRK-ja nën drejtimin e Blerim Isufajt ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve gjatë 5–7 marsit 1998.





