Friday, January 21, 2022

Atletico kampione me “fotofinish”, fitorja me përmbysje s’i hyn në punë Realit

Atletico e Madridit kampione e Spanjës me “fotofinish”. “Los Colchoneros” triumfuan me përmbysje 1-2 ndaj Valladolidit dhe rikthehen pas shtatë vitesh në “Olimpin” e futbollit spanjoll, duke thyer hegjemoninë e dy gjigantëve të LaLigas, Realit dhe Barcelonës me trofenë e 11-të në histori dhe të dytin nën drejtimin e Simeones. Edhe pse e nisën keq sfidën në “Estadio José Zorrilla”, teksa u ndëshkuan nga goli i Planos në pjesën e parë, të besuarit e “El Cholos” përmbysën në 1-2 shifrat në fraksionin e dytë falë Correas, pas një veprimi fantastik individual, dhe Luis Suarezit, finalizues i shkëlqyer i një kundërsulmi të shpejtë.

Me 86 pikë e mbylli kampionatin Atletico, vetëm dy më shumë se Reali i Madridit, që gjithashtu triumfoi me përmbysje 2-1 me Villarealin në “Alfredo di Stefano”. Pino shënoi në minutën e 20-të për “Nëndetësen e Verdhë”, por “Los Blancos” kthyen rezultatin me finalizimet e Benzemasë dhe Luka Modricit, me këtë të fundit që realizoi në minutën e dytë shtesë, por vetëm pas pak çastesh u mësua rezultati final në “Estadio José Zorrilla”, që e bëri të pavlefshëm triumfin e Realit.

Barcelona, ndërkohë, pa Lionel Messin në dispozicion, fitoi minimalisht në fushën e Eibarit falë golit të shënuar nga Griezmann. Shpallet zyrtarisht “Pichichi” i LaLigas “ylli” argjentinas me 30 gola, shtatë më shumë se Moreno i Villarealit.

Verdiktet e sezonin çojnë Atleticon, Realin, Barcelonën dhe Sevillan në Champions, Real Sociedadin dhe Betisin në Europa League dhe Villarealin në Conference League. Bien nga kategoria Eibari, Valladolidi dhe Huesca.

Rezultatet:

Celta Vigo – Betis 2-3

Barcelona      0-1

Elche – Ath Bilbao 2-0

Huesca – Valencia       0-0

Osasuna – Real Sociedad    0-1

Real Madrid – Villarreal      2-1

Valladolid – Atl. Madrid      1-2