Saturday, January 22, 2022

Bekim Jashari i’u përgjigjet kritikëve: Asnjëherë faleminderit askujt!

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, po kritikohet nga një numër i vogël njerëzish të ndryshëm për vizitat dhe homazhet tek varret e çdo dëshmori dhe martiri. Gojëkëqinjtë thonë se Bekim Jashari gati gjithë mandatin e tij e ka çuar nëpër homazhe, por i pari i Skenderajt është përgjigjur nëpërmes të një statusi në facebook.

“Asnjëherë faleminderit askujt për nderimin bërë dëshmorëve të kombit tonë, sepse ky është obligim i secilit prej nesh, që së paku t’i vizitojmë varret e tyre, të bëjmë homazhe e nderime, të jemi mirënjohës e të punojmë parreshtur në jetësimin e amanetit të tyre.

Kritikëve që iu duket e tepërt vizita ime tek familjet dhe varret e secilit dëshmor, iu them që vizitat e nderimet e tilla që po bëjmë për çdo ditë pa u ndalur janë më e pakta që mund dhe duhet të bëjmë për ata që me luftën dhe gjakun e tyre na e sollën Lirinë.

Nga këto vizita e nderime marrim mesazhe të qarta dhe obligohemi që të punojmë bashkë me ndershmëri për ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve tonë, sepse dëshmorët dhe martirët nuk kanë rënë vetëm që ne të jemi të lirë, por njëkohësisht të kemi një shtet e shoqëri të zhvilluar që gjeneratat e reja të duan të jetojnë në të”, ka shkruar mes tjerash Jashari në rrjetin social facebook.