Lajme

DRENAS/ Qe 20 vjet pa kanalizim, mbesin pa zgjidhje banorët e një lagje në Nekoc

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:15 / 29 March 2021

Banorët e fshatit Nekoc të Komunës së Drenasit, kanë 20 vjet që janë pa kanalizim.

Fjala është për një lagje që njihet si lagja e ‘Muçakëve’, të cilët janë në hall me këtë problem që po del të jetë i pazgjidhshëm për ta.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, Afrim Bajrami, banor i kësaj lagje, tha se tashmë janë lodhur që kërkesat e lagjes së tij po shkojnë në vesh të shurdhër.

“Kërkesën e kemi dorëzu në komunë, një herë kam bërë kërkesë vet, e një herë bashkë me përfaqësuesin e fshatit, bile, kam shku edhe gojarisht kam bërë kërkesë, po problemi nuk u zgjodh” tha ai.

Bajrami tha se nga komuna kanë marrë një përgjigje, por ata nuk mund të ofrojnë zgjidhje, pasi, kanalizimi duhet të kalojë nëpër tokat private të banorëve, por, ata nuk po pranojnë një gjë të tillë.

“Problemi është se nga komuna kanë thënë se kanalizimin nuk mund ta çojnë më shumë se dy metra lartë, prandaj, po duhet me hy edhe në tokat private, e banorët nuk po pranojnë një gjë të tillë. Kemi mbet në hall, sepse, po bëhet e padurueshme kjo jetesë kështu” tha Bajrami.

Nga ana tjetër, banorët po presin që Komuna e Drenasit të bëj një zgjidhje për ta.