Saturday, January 22, 2022

Drita në Evropë, Arbëria bie në Ligën e Parë dhe Trepça ’89 do ‘luftojë’ me Dukagjinin për qëndrimin në Superligë

Ka përfunduar edhe edicioni 2020/21 në Superligën e Kosovës.

Me xhiron e fundit që u zhvillua sot (e diele), Prishtina ishte shpallur kampion javën e kaluar, ndërsa Drita me fitoren ndaj Arbëria ka siguruar daljen në Evropë, shkruan lajmi.net.

Trepça ’89 me fitoren ndaj Drenicës e ka edhe shansin për mbetjen në Superligë, ku do përballet me Dukagjinin në ndeshjen e barazhit.

Prishtina 2 – 5 Ballkani

Ballkani ka mposhtur Prishtinën në kryendeshjen e xhiros së 36-të në Superligën e Kosovës.

“Xhebrailat” shënuan fitore bindëse me rezultat 2 – 4.

Sulmuesi Mirlind Daku realizoi dy gola të shpejtë në fillimin e ndeshjes (1′, 15′), kurse Prishtina barazoi përmes Besnik Krasinqit (27′, 36′).

Ndërkohë, në pjesën e dytë, Arbër Hoxha shënoi dy herë të rikthyer epërsinë e Ballkanit (70′, 77′) dhe Blend Baftiu vulosi fitoren  (85′).

Sidoqoftë, pavarësisht fitores, Ballkani nuk del në Evropë ngase edhe Drita mposhti Arbërinë.

Drita 2 – 0 Arbëria

Drita me këtë fitore në xhiron e fundit siguroi daljen në Evropë.

Festim Alidemaj realizoi në minutën e 17-të për t’i dhënë skuadrës epërsinë, derisa Limani shënoi për pikët e plota që e dërguan Arbërinë në Ligën e Parë.

Drita në edicionin e ardhshëm do ‘luftojë’ në Ligën e Konferencave, njësoi si Llapi.

Besa 1 – 0 Gjilani

Besa ka arritur ta befasojë Gjilanin duke e mposhtur si vendas.

Tahiri ishte realizuesi i vetëm në ndeshje (17′).

Sidoqoftë, kjo fitore për Besën nuk ishte shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh rënien në Ligën e Parë.

Trepça ’89 2 – 1 Drenica

Trepça ’89 me këtë fitore siguroi mbetjen në Superligën e Kosovës.

Vendasit shënuan dy herë në pjesën e dytë  (48′, 52′), derisa Drenica realizoi në minutën e 69-të golin e nderit.

Kjo fitore e ngrit Trepçën ’89 në pozitën e shtatë me 42 pikë, aq sa ka Drenica në pozitën e gjashtë.

Llapi 1 – 1 Feronikeli

Llapi ka barazuar me Feronikelin me rezultat 1 – 1.

Llapi e mbyll edicionin në pozitën e pestë me 45 pikë, kurse do marrë pjesë në garat evropiane falë Kupës së Kosovës.