SHIJA E REDAKTORIT

“Dy kamionë 26-tonësh, stok prej mijëra njësish dhe referencë 1.1 milionëshe”, OSHP gjen probleme në tenderin milionësh për dru e pelet në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës së Jugut e udhëhequr nga Faton Peci i GUXO është duke zhvilluar aktivitetin e prokuritimit për “Furnizimin me lëndë djegëse Dru dhe Pelet”, shkruan portal rajoni.org.

Menjëherë pasi është hapur kjo thirrje, në zyrën e prokurimit të Komunës së Skenderaj ku ka parashtruar kërkesë për Rishqyrtim operatori ekonomik ““N.T.P. GRESA-COMMERCE””, duke konsideruar që është shkelur Ligji i Prokurimit Publik në kriteret e vendosura për këtë tender. Konkretisht ka konsideruar që janë vendosur disa kritere që diskriminojnë kompani të caktuara dhe favorizojnë një apo të tjera, dhe është kërkuar që ato të ndryshohen. Të gjitha pretendimet e kësaj kompanie zyra e udhëhequr nga Kushtrim Mehaj i ka hedhur poshtë si të pa bazuara.

Më pas kompania ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke konsideruar se janë shkelur një sërë nenesh të LPP-së në vendosjen e kritereve për këtë procedurë.

OSHP-ja me datë 12.08.2026 e ka autorizuar eksperten e saj, Azemin Gërvalla, për të shoshitur pretendimet e kompanisë ankuese dhe më datë 17.08.2026 e ka përfunduar raportin në rekomandimin, përcjell portali rajoni.org .

Sipas vlerësimit të ekspertit shqyrtues, tri pretendimet ankimore janë pjesërisht të bazuara, ndërsa ekpserti i prokurimi ka rekomanduar që ankesa të aprovohet si e bazuar, Autoriteti Kontraktues të bëjë përmirësimet përkatëse në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim.

Pretendimi i parë: Referenca prej 1.1 milion euro dhe mosndarja në lote

Një nga pretendimet e operatorit ekonomik lidhet me mënyrën e përcaktimit të kërkesave për përvojën e mëparshme, përkatësisht kërkesën që operatorët ekonomikë të dëshmojnë kontrata të ngjashme në vlerë prej 1,100,000 euro, ku 1,000,000 euro duhet të jenë për furnizime me dru dhe 100,000 euro për furnizime me pelet.

Operatori ekonomik ka kundërshtuar këtë mënyrë të përcaktimit të kriterit, duke e konsideruar atë kufizues për konkurrencën.

Në kuadër të këtij pretendimi është ngritur edhe çështja e mosndarjes së aktivitetit të prokurimit në lote të veçanta për dru dhe pelet.

Çfarë ka konstatuar eksperti?

Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se vetë mosndarja e aktivitetit të prokurimit në lote nuk përbën shkelje, pasi ndarja në lote nuk është detyrim në çdo rast. Megjithatë, ndarja e aktivitetit në lote do të mund të krijonte mundësi për pjesëmarrje më të gjerë të operatorëve ekonomikë të specializuar në furnizimin me dru ose pelet.

Ndërkohë, sa i përket vlerës së referencës, eksperti ka vlerësuar se vlera e përgjithshme prej 1,100,000 euro nuk paraqet problem në raport me vlerën e parashikuar të kontratës.

Problematike është konsideruar ndarja e kësaj vlere në dy kërkesa të veçanta: 1 milion euro për dru dhe 100 mijë euro për pelet.

Sipas vlerësimit të ekspertit, një kërkesë e tillë mund të kufizojë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë që kanë përvojë të konsiderueshme në furnizime të ngjashme, por jo domosdoshmërisht në të dyja kategoritë e produkteve në raportet e përcaktuara nga Autoriteti Kontraktues.

Konstatimi

Për këtë pjesë, eksperti e ka vlerësuar pretendimin si pjesërisht të bazuar.

Sipas tij, kriteri duhet të rishikohet në mënyrë që operatorëve ekonomikë t’u kërkohet dëshmi për një vlerë të përgjithshme prej 1,100,000 euro në furnizime të ngjashme, pa përcaktuar domosdoshmërisht nën-pragje të veçanta për dru dhe pelet.


Pretendimi i dytë: Kërkesa për stok prej 2,000 m³ dru dhe 200 ton pelet

Pretendimi i dytë ka të bëjë me kërkesën që operatorët ekonomikë, para dorëzimit të ofertës, të dëshmojnë se kanë në dispozicion një stok prej së paku 2,000 metra kub dru dhe 200 ton pelet.

Operatori ekonomik e ka kundërshtuar këtë kriter, duke e konsideruar si kërkesë që mund të krijojë barrë të konsiderueshme për operatorët dhe të kufizojë konkurrencën.

Çfarë ka konstatuar eksperti?

Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se qëllimi për të garantuar vazhdimësinë e furnizimit është i kuptueshëm, por ka ngritur çështjen e proporcionalitetit të sasisë së stokut të kërkuar.

Sipas raportit, kontrata është paraparë të zgjasë 36 muaj, ndërsa furnizimi realizohet përmes urdhërblerjeve. Për këtë arsye, eksperti ka vlerësuar se duhet të ketë një arsyetim më konkret se përse janë përcaktuar pikërisht sasitë prej 2,000 m³ dru dhe 200 ton pelet si stok i detyrueshëm paraprak.

Eksperti ka marrë në konsideratë edhe barrën financiare që mund të krijojë kjo kërkesë për operatorët ekonomikë.

Sipas të dhënave të përfshira në raport, vetëm sigurimi i 200 tonëve pelet do të përfaqësonte një vlerë prej rreth 78,000 deri në 80,000 euro, pa përfshirë shpenzimet e transportit, magazinimit dhe kostot e tjera operative.

Po ashtu, në raport theksohet se sasia e kërkuar paraprakisht përfaqëson rreth 35–36 për qind të sasisë së përafërt të përgjithshme të furnizimit të paraparë në aktivitetin e prokurimit.

Për ekspertin, kjo ngre çështjen nëse është e domosdoshme që një pjesë kaq e konsiderueshme e mallit të jetë fizikisht në stok para se operatori ekonomik të shpallet fitues dhe para se të përcaktohen konkretisht nevojat përmes urdhërblerjeve.

Konstatimi

Edhe ky pretendim është vlerësuar pjesërisht i bazuar.

Eksperti ka rekomanduar që kriteri për stokun paraprak të rishikohet dhe të përcaktohet në mënyrë më proporcionale me nevojat reale të kontratës.

Sipas rekomandimit, furnizimi mund të organizohet përmes urdhërblerjeve, ku operatori ekonomik do të njoftohej për sasinë, vendin dhe afatin e dorëzimit, duke shmangur një kërkesë paraprake që mund të krijojë barrë të panevojshme për operatorët ekonomikë.


Pretendimi i tretë: Dy kamionë me vinç dhe peshë minimale prej 26 tonësh

Pretendimi i tretë i operatorit ekonomik lidhet me kërkesën teknike që ofertuesit të posedojnë ose të sigurojnë dy kamionë me vinç, me dyer dhe me peshë minimale prej 26 tonësh, të përshtatshëm për transportin dhe shkarkimin e druve dhe peletit.

Operatori ekonomik e ka kundërshtuar këtë kriter, duke e konsideruar tepër specifik dhe potencialisht kufizues për konkurrencën.

Çfarë ka konstatuar eksperti?

Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se kërkesa për kapacitet të mjaftueshëm transportues mund të jetë e nevojshme për realizimin e kontratës, por ka vënë në pikëpyetje përcaktimin konkret të karakteristikave të mjeteve.

Sipas vlerësimit të ekspertit, nuk është arsyetuar mjaftueshëm se përse nevojiten pikërisht dy kamionë, pse ata duhet të jenë të pajisur me vinç, pse duhet të kenë dyer dhe pse duhet të kenë peshë minimale prej 26 tonësh.

Eksperti ka vlerësuar se për të përcaktuar nëse ky kriter është proporcional, do të duhej të ekzistonin të dhëna më konkrete për numrin e lokacioneve ku do të bëhet furnizimi, kushtet e qasjes në këto lokacione, numrin e dërgesave që mund të kërkohen njëkohësisht dhe sasinë tipike të një urdhërblerjeje.

Në mungesë të një arsyetimi të tillë, kërkesa për dy kamionë me karakteristika specifike mund të krijojë kufizime të panevojshme për operatorët ekonomikë.

Konstatimi i ekspertit të prokurimit

Eksperti e ka vlerësuar edhe këtë pretendim si pjesërisht të bazuar.

Sipas vlerësimit, qëllimi për të siguruar transport dhe shkarkim të sigurt mund të arrihet edhe përmes mjeteve ose zgjidhjeve të tjera teknike, për sa kohë që ato përmbushin kërkesat funksionale të kontratës.

Për këtë arsye, është rekomanduar që kriteri të riformulohet në mënyrë funksionale, duke mos u kufizuar vetëm në një lloj të caktuar të mjetit transportues.

Operatorët ekonomikë duhet të kenë mundësi të dëshmojnë se posedojnë ose sigurojnë mjete me kapacitet të mjaftueshëm për transport dhe pajisje të përshtatshme për shkarkim, përfshirë edhe zgjidhje teknike ekuivalente.

//BODY PART STICKY - Implement into the footer
✖