“E eliminuan ofertën më të lirë, pastaj anuluan tenderin 210 mijë euro”, Faton Pecit procedura e prokurimit i përfundon në OSHP
Grupi i operatorëve ekonomikë “MEB LLC & CPS Phoenix Group LLC” ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lidhur me tenderin e Komunës së Mitrovicës të udhehequr nga Faton Peci për Shërbimet e pastrimit të QKMF-së, QMF-ve dhe AMF-ve me vlerë të parashikuar prej 210 mijë eurosh, shkruan rajoni.org.
Sipas ankesës 44 faqësh të dorëzuar me 14 shtator në OSHP, kriteri për dhënien e kontratës ishte “tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”.

Por, sipas operatorëve që janë ankuar në OSHP, oferta e tyre me vlerë 174,084 euro është eliminuar nga Komuna, ndërsa fillimisht për kontratë ishte rekomanduar një ofertë tjetër prej 208,900.80 euro.
Operatorët pretendojnë se eliminimi i tyre është bërë pa bazë të mjaftueshme dhe se Komuna ka përdorur arsye që, sipas tyre, nuk kanë ndikuar në aftësinë e tyre për ta realizuar kontratën.

Oferta ishte 34 mijë euro më e lirë
Në ankesë theksohet se oferta e “MEB LLC & CPS Phoenix Group LLC” ishte 34,816.80 euro më e lirëse oferta e operatorit që fillimisht ishte rekomanduar për kontratë.
Operatorët thonë se kjo diferencë është e rëndësishme për buxhetin publik, pasi bëhet fjalë për mjete të Komunës.
Sipas tyre, pasi oferta prej 208,900.80 euro ishte konstatuar më vonë si e papërgjegjshme për shkak të problemeve në ofertën financiare, oferta e tyre duhej të shqyrtohej si oferta me çmimin më të ulët.
Megjithatë, Komuna më 25 gusht 2026 vendosi ta anulojë të gjithë tenderin.
Komuna fillimisht e kishte rekomanduar një kompani tjetër
Sipas kronologjisë së paraqitur në ankesë, më 6 gusht Komuna kishte publikuar vendimin për dhënien e kontratës kompanisë SELMANS NETWORK SH.P.K., me ofertë prej 208,900.80 euro.
Në të njëjtën kohë, grupi “MEB LLC & CPS Phoenix Group LLC” ishte eliminuar.
Operatorët u ankuan më 10 gusht dhe kërkuan rishqyrtimin e vendimit.
Më 11 gusht, Komuna e aprovoi pjesërisht kërkesën e tyre për rishqyrtim dhe e ktheu aktivitetin në rivlerësim.
Por, sipas ankesës së dorëzuar në OSHP, Komuna nuk i kishte shqyrtuar në atë fazë disa nga pretendimet kryesore të operatorëve.
Sipas tyre, Komuna nuk kishte dhënë përgjigje të plotë për pajisjen që ata kishin deklaruar, për vlefshmërinë e ofertës prej 365 ditësh dhe për pretendimin për trajtim të pabarabartë.
Kompania tjetër u eliminua për shkak të ofertës financiare
Gjatë rivlerësimit, sipas ankesës, oferta e SELMANS NETWORK SH.P.K. u konsiderua e papërgjegjshme për shkak të gabimeve në ofertën financiare.
Operatorët ankues thonë se korrigjimi i gabimit do të sillte një ndryshim prej 6,963.36 euro, ose rreth 3.33 për qind të vlerës së ofertës.
Sipas tyre, kjo ishte mbi kufirin e lejuar prej 2 për qind.
Pas eliminimit të kësaj oferte, në garë kishte mbetur oferta e tyre prej 174,084 euro.
Megjithatë, Komuna vendosi që të mos e shpallte këtë ofertë fituese, por ta anulonte të gjithë aktivitetin.
Kjo është kundërshtuar nga operatorët në OSHP.
Ata pretendojnë se Komuna nuk mund ta përdorte anulimin e tenderit për të shmangur vlerësimin e ofertës së tyre.
Pse u eliminua oferta prej 174 mijë eurosh?
Në ankesë janë ngritur disa pretendime, por dy prej tyre janë kryesoret.
I pari lidhet me vlefshmërinë e ofertës.
Sipas Dosjes së Tenderit, oferta duhej të ishte e vlefshme për 90 ditë.
Operatori kishte deklaruar vlefshmëri prej 365 ditësh.
Komuna e ka konsideruar këtë si problem.
Por operatorët pretendojnë se kjo nuk mund të ishte arsye për eliminim, pasi oferta e tyre ishte e vlefshme shumë më gjatë se 90 ditët e kërkuara.
Sipas tyre, Dosja e Tenderit nuk kishte thënë se oferta duhej të ishte patjetër vetëm 90 ditë dhe se nuk lejohej një afat më i gjatë.
Ata pretendojnë se një ofertë e vlefshme për 365 ditë nuk e dëmton Komunën, por përkundrazi e mban operatorin të lidhur me ofertën për një periudhë më të gjatë.
Në ankesë thuhet se Komuna nuk ka shpjeguar se si vlefshmëria prej 365 ditësh e ka dëmtuar procedurën ose operatorët e tjerë.
Çështja tjetër lidhet me një kamion me pajisje për punë në lartësi
Pika tjetër e rëndësishme lidhet me pajisjen që operatori kishte deklaruar për realizimin e punëve.
Në tender ishte kërkuar një “kamion me korpë – lartësia e korpës arrin deri në 40 metra”.
Sipas ankesës, operatori kishte deklaruar pajisjen DEMAG AC205.
Në dokumentacionin e regjistrimit, sipas operatorëve, kjo pajisje figuron si “automjet special me vinç”.
Pikërisht ky emërtim është përdorur nga Komuna si një nga arsyet për eliminimin e ofertës.
Por operatorët thonë se Komuna është fokusuar vetëm te emërtimi i pajisjes në dokumentacion dhe nuk ka analizuar se çfarë mund të bëjë realisht ajo pajisje.
Sipas tyre, DEMAG AC205 ka krah teleskopik prej 50 metrash, ndërsa me shtojcën Jib arrin deri në 67 metra.
Ata thonë se kjo është më shumë se 40 metrat e kërkuara në tender.
Operatorët: Vetë Komuna kishte sqaruar se pajisja kërkohej për pastrimin e xhamave
Një nga argumentet kryesore të operatorëve është edhe një sqarim që, sipas tyre, Komuna e kishte publikuar para hapjes së ofertave.
Në atë sqarim, Komuna kishte treguar se pajisja kërkohej për pastrimin e xhamave dhe sipërfaqeve në lartësi.
Operatorët thonë se kjo do të thotë se qëllimi kryesor ishte që pajisja të mund të arrinte në lartësinë e kërkuar dhe të kryente shërbimin.
Sipas tyre, ata e kanë ofruar një pajisje që ka kapacitet për të punuar në lartësi edhe më të madhe se ajo e kërkuar.
Për këtë arsye, ata pretendojnë se Komuna nuk është dashur ta eliminojë ofertën vetëm për shkak se në librezën e automjetit shkruan “automjet special me vinç” dhe jo “kamion me korpë”.
Operatorët kërkojnë që OSHP-ja ta shqyrtojë edhe dokumentacionin teknik të pajisjes.
Pretendimi për standard të dyfishtë
Në ankesë ngrihet edhe një pretendim tjetër.
Operatorët thonë se Komuna ka përdorur standarde të ndryshme gjatë vlerësimit të dy ofertave.
Sipas tyre, ndaj ofertës së tyre është përdorur një interpretim shumë formal i dokumenteve, ndërsa ndaj operatorit tjetër janë pranuar dokumente që, sipas tyre, kërkonin verifikim të mëtejshëm.
Ankuesit përmendin edhe një dokument që lidhet me pajisjen e SELMANS NETWORK SH.P.K., i cili, sipas tyre, mban datën 7 gusht 2026, ndërsa ofertat ishin dorëzuar më 28 korrik.
Për këtë arsye, ata kërkojnë që OSHP-ja të verifikojë nëse ky dokument ka qenë pjesë e ofertës në momentin e dorëzimit të saj apo është dorëzuar më vonë.
Operatorët kërkojnë që të sqarohet edhe se me çfarë dokumentesh Komuna e kishte konstatuar përgjegjshmërinë e kësaj kompanie para vendimit të 6 gushtit.





