LAJME

Fisnik Asllani i thotë lamtumirë Barcelonës dhe Dortmundit, pranë transferimit te klubi i ri

As Barcelona dhe as Borussia Dortmundi. Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani është shumë pranë transferimit te RB Leipzig, me klubin gjerman që ka bërë hapa vendimtarë për ta finalizuar marrëveshjen.

Sipas raportimeve nga Gjermania, Leipzig ka arritur një marrëveshje në parim me lojtarin dhe tashmë kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u zgjidhur para se transferimi të zyrtarizohet, përcjell “Gazeta Express”.

Klubi gjerman është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit të Asllanit, e cila besohet të jetë rreth 30 milionë euro, duke i lënë shumë pak mundësi Barcelonës për të ndërhyrë në këtë garë.

Gjiganti katalunas e kishte monitoruar sulmuesin kosovar prej disa muajsh dhe e shihte si një alternativë të mundshme në rast se nuk arrinte ta transferonte objektivin kryesor për repartin ofensiv.

Megjithatë, Barcelona nuk bëri hapa konkretë për transferimin e tij, ndërsa Leipzig reagoi më shpejt dhe tashmë është shumë pranë sigurimit të kartonit të 23-vjeçarit.

Asllani pati një sezon të shkëlqyer me Hoffenheimin, paraqitje që kanë bërë që ai të tërheqë interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane.

Sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, vlera e kartonit të tij është 35 milionë euro, duke e bërë njëkohësisht lojtarin më të shtrenjtë dhe më të vlefshëm shqiptar të momentit.

Përveç Barcelonës, edhe Borussia Dortmundi ishte lidhur me emrin e tij, por aktualisht RB Leipzig shihet si favorit absolut për ta transferuar sulmuesin kosovar.

Ky transferim pritet të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.

//BODY PART STICKY - Implement into the footer