Lajme

Flamur Salihu refuzon të deklarohet pasi denoncoi drejtorin e Prokurimit, Isa Hajdari

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
7:53 / 4 August 2022

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë ekskluzivisht për kanosjen e zyrtarit përgjegjës për komunikim me publikun në Qeverinë e Kosovës, Flamur Salihun, nga i dyshuari, kolegu i tij, drejtori i Prokurimit, Isa Hajdari. Salihu sipas burimeve nga Qeveria dyshohet se u kanos seriozisht nga Hajdari gjatë një takimi mes tyre në lidhje me një kontratë.

Lidhur me këtë rast, Sinjali ka kontaktuar Salihun për të marrë një deklaratë në lidhje me rastin, por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet, duke u arsyetuar se është vonë.

Shkurtimisht ai tha se s’ka mundësi të merret me këtë çështje dhe pas insistimit të gazetarit për të marrë një konfirmim, ai e ka ndalur telefonatën.

“Jo m’fal nuk muj, është ora 10 e diçka, nuk muj me u marrë me këtë çështje, faleminderit shumë. Po më vjen shumë keq jo (Kur pyetet nëse mundet me dhënë deklaratë). S’kom çka me konfirmu për këtë çështje”tha Salihu shkurt për Sinjalin.

Sinjali raportoi se sherri dyshohet se nisi gjatë një takimi që dyshja kishin në objektin e Qeverisë dhe eskaloi me kanosje serioze nga i dyshuari Hajdari, për çka tashmë Prokuroria është vënë në dijeni dhe ka nisur hetimet.

Konflikti verbal mes tyre dyshohet se ka nisur në lidhje me një kontratë ku gjatë debatit, Hajdari dyshohet se i është drejtuar Salihut me fjalët “E sheh kush jom unë, del ti najherë prej ktuhit, mos ke merak se shihemi jashtë”, thotë burimi i Sinjalit.

Të njëjtat burime thonë se përballë kësaj situate, Salihu ka vendosur që ta njoftojë Policinë, duke e denoncuar kolegun e tij. Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka intervistuar drejtorin e Prokurimit, Isa Hajdari i cili është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas dhënies së deklaratës, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar lirimin e Hajdarit dhe inicimin e rastit ndaj tij si “kanosje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.