SHIJA E REDAKTORIT

Fushë Kosova ia dha tenderin konsorciumit që nuk i përmbushi kriteret, eksperti i prokurimit rekomandon anulimin e vendimit dhe kthimin e lëndës në rivlerësim

Eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Rrahim Ademi, i ka propozuar panelit shqyrtues anulimin e vendimit të Komunës së Fushë Kosovës të udhehequr nga Valon Prebreza për dhënien e kontratës në vlerë prej 250 mijë eurosh për rrënimin e objekteve pa leje ndërtimore dhe objekteve të tjera, shkruan rajoni.org.

Kontrata, me vlerë të parashikuar prej 250 mijë eurosh, i ishte rekomanduar për dhënie grupit të operatorëve ekonomikë “Ermal Syla B.I.” dhe “AAB Construction SH.P.K.” nga Suhareka.

Screenshot

Në raportin e dorëzuar me 12 tetor nga eksperti Rrahim Ademi, është rekomanduar që ankesa të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Screenshot

Sipas raportit, gjatë shqyrtimit të ankesës janë identifikuar mangësi në dëshmimin e përvojës së kërkuar profesionale dhe në dokumentacionin për inxhinierin e mjedisit. Për këtë arsye, eksperti ka vlerësuar se pretendimet e kompanisë ankuese janë pjesërisht të bazuara.

Grupit të rekomanduar i mungojnë 64 mijë e 150 euro në përvojën e kërkuar

Sipas dosjes së tenderit, operatorët ekonomikë duhej të dëshmonin se gjatë tri viteve të fundit kishin përfunduar me sukses kontrata të ngjashme në vlerë prej së paku 375 mijë eurosh.

Megjithatë, eksperti ka vlerësuar se kontratat për ndërtimin dhe sanimin e kanalizimeve, ndërtimin e rrugëve dhe kubëzimin nuk mund të konsiderohen automatikisht të ngjashme me punët e rrënimit të objekteve, pasi kanë natyrë të ndryshme teknike dhe operative.

Nga dokumentacioni i shqyrtuar, si kontrata të ngjashme janë pranuar ajo për demolimin e strukturave të betonit në Parkun në Kalabri, në vlerë prej 80 mijë e 850 eurosh, si dhe kontrata për rrënimin e objekteve pa leje në Komunën e Fushë Kosovës, në vlerë prej 80 mijë eurosh.

Vlera e këtyre dy kontratave arrin në 160 mijë e 850 euro, dukshëm më pak se minimumi prej 375 mijë eurosh që kërkohej në dosjen e tenderit.

Eksperti ka shqyrtuar edhe kriterin e veçantë për liderin e grupit, “Ermal Syla B.I.”, i cili duhej të dëshmonte së paku 60 për qind të vlerës së kërkuar, përkatësisht 225 mijë euro në kontrata të ngjashme.

Sipas raportit, lideri i grupit arrin të dëshmojë vetëm 160 mijë e 850 euro në kontratat e pranuara si të ngjashme. Për rrjedhojë, atij i mungojnë edhe 64 mijë e 150 euro për ta përmbushur pragun minimal të kërkuar.

Eksperti e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e kompanisë “Murseli Company” lidhur me këtë kriter.

Eksperti gjen problem edhe te licenca e inxhinieres së mjedisit

Një tjetër pretendim i kompanisë ankuese lidhet me inxhinieren e propozuar për këtë aktivitet të prokurimit, Arlinda Cakaj.

Dosja e tenderit kërkonte një inxhinier të mjedisit me diplomë Bachelor ose Master, të certifikuar apo licencuar nga OIK.

Sipas raportit, në ofertën e operatorit ekonomik ishte paraqitur diploma e Cakajt në programin studimor “Inxhinieri e Ambientit”, si dhe një licencë që, sipas ekspertit, i përket një profili tjetër profesional dhe nuk dëshmon licencimin në profilin e kërkuar.

Eksperti ka vlerësuar se diploma në një fushë të përafërt nuk është e mjaftueshme nëse nuk dëshmohet edhe licencimi i kërkuar nga dosja e tenderit.

Për këtë arsye, pretendimi është vlerësuar si pjesërisht i bazuar, pasi operatori ekonomik nuk ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme se personi i propozuar i përmbush të gjitha kërkesat profesionale të përcaktuara në tender.

Foto në Ballinë është foto ilustrim*

//BODY PART STICKY - Implement into the footer
✖