Sunday, July 25, 2021

Këta janë dy lojtarët që Koeman po i kërkon te Barcelona

Dy lojtarët që Koeman po i kërkon te Barcelona.

Nuk është një fillim i lehtë për Ronald Koemanin te Barcelona.

Situatës tashmë së vështirë të klubit pas ngjarjeve të verës i shtohen edhe problemet për shkaqe lëndimesh të shumë futbollistëve, ku spikatin mungesat e Ansu Fatit dhe Gerard Piquesë. Koeman, para përfundimit të merkatos së verës i kërkoi klubit të nënshkruante me një qendërmbrojtës dhe një sulmues e tashmë nevoja për përforcime është edhe më evidente.

Qendërmbrojtësi i preferuar i klubit “blaugrana” është Eric Garcia i Manchester City-t (pëlqehet edhe nga Koeman), por është e vështirë që 19-vjeçari të transferohet në janar në “Camp Nou”.

Të paktën holandezi ka rikuperuar Araujon dhe Umtitinë, por ai është i shqetësuar për gabimet e Lenglet. Për këtë arsye një mbrojtës qendror konsiderohet i domosdoshëm, përtej performancës së mirë të Mingueza, sepse Umtiti që kthehet pas një dëmtimi, nuk jep garanci.

Koeman vazhdon të ngulmojë për Memphis Depay, pasi e sheh si një numër 9, rol të cilin nuk po e bëjnë, siç e kërkon trajneri holandez, as Griezmann e as Braithwaite.

Edhe pse Depay nuk është një sulmues i pastër, Ronald Koeman ka “prova” për efikasitetin e tij në majë të sulmit: “Me mua, në ekipin kombëtar, gjithmonë ka luajtur si qendërsulmues.”

Barcelona ka nevojë emergjente për një sulmues dhe një mbrojtës qendre, pasi duhet të përballojë një sezon të gjatë në La Liga, ku ka grumbulluar vetëm 14 pikë në 10 javët e para, ndërsa në Champions e pret një kundërshtar i fortë, pasi dështoi të mbronte vendin e parë në sfidën e fundit të fazës së grupeve të Championsit ndaj Juventusit (u mposht 0-3).

Koeman është i vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike të klubit dhe situatën aktuale anormale. Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 24 janar dhe kuptohet para kësaj date do të jetë e vështirë të bëhen blerje të rëndësishme për shkak të kufizimeve ekonomike të vendosura nga bordi drejtuesi i përkohshëm.

Ronald Koeman shpreson që kandidatët për president të japin konsensusin që Tusquets të mbyllë marrëveshjet për afrimin e një mbrojtësi qendre dhe të Depay-t, pasi i konsideron dy raste urgjente.