Sunday, August 1, 2021

Komuna e Skenderajt i jep me ‘qira’ banesat sociale

Ndonëse shuma është simbolike, Komuna e Skenderajt ka vendosur që të gjitha banesat sociale t’ua jep me qira për dy vjet familjeve të cilat janë duke jetuar në to. Kontrata për qira janë hartuar nga komuna, ndërsa u dorëzohen familjeve posa shkojnë t’i marrin.

Përjashtim bëjnë 25 familje, të cilat do të largohen nga banesat sociale, pasi që kanë krijuar kushte për të siguruar vetë strehimin, ose kanë blerë shtëpi e banesa, kanë anëtarë të punësuar të familjeve, si dhe kanë biznese.

Një banor që jeton në këto banesa i ka thenë Vision Mega me kusht anonimiteti, se megjithëse shuma mujore e qirasë nuk duket e lartë, 11.25 euro, ajo do të jetë barrë e rendë për familjen e tij, pasi që jeton vetëm me social. Ai ka llogaritur se për një vit duhet të paguajë 135 euro.

Në të njejtën mënyrë flasin edhe të tjerët. Ata thonë se vetëm kanë dëgjuar se për një meter katror të banesave do të paguajnë nga 0.25 centë dhe asnjë prej tyre akoma nuk i kanë pranuar kontratat.

Banorët e banesave sociale, pothuajse të gjithë, i kanë thenë gazettes online Vision Mega se dhënia e banesave sociale me qira nga Komuna e Skenderajt është rast unikat në Kosovë. “Nuk kam ni që një komunë në Kosovë i shtin me pagu qira familje që janë raste sociale dhe që jetojnë në banesa sociale. Eshte diçka që se kemi pritë”, ka thenë një kryefamiljar, i cili me tre fëmijët dhe gruan mbijeton me ndihma sociale.