SHIJA E REDAKTORIT

“Komuna nuk po e zbaton plotësisht vendimin e OSHP-së”, dorëzohet tjetër ankesë për tenderin 300 mijë eurosh në Skenderaj

Pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili kishte aprovuar pjesërisht ankesat e operatorëve ekonomikë AS Termo SH.P.K. dhe “Deshishku GB” SH.P.K., duke e obliguar Komunën e Skenderajt e udhëhequr nga Sami Lushtaku i PDK’së të korrigjojë dosjen e tenderit dhe ta zgjasë afatin për ofertim, operatori ekonomik “Deshishku GB” ka dorëzuar një tjetër ankesë në Zyrën e Prokurimit të kësaj komunë, shkruan rajoni.org.

Ankesa ka të bëjë me tenderin me vlerë të parashikuar prej 300 mijë euro me titull “Mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimit brenda territorit të Komunës së Skenderajt”.

Në ankesën e re, kompania pretendon se Komuna e Skenderajt nuk e ka zbatuar plotësisht vendimin e OSHP-së. Sipas saj, janë bërë vetëm disa ndryshime formale në dosjen e tenderit, ndërsa shumica e kërkesave të kundërshtuara kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.

“Deshishku GB” po ashtu pretendon se komuna nuk e ka zgjatur mjaftueshëm afatin për dorëzimin e ofertave. Sipas ankesës, pas ndryshimeve në dosjen e tenderit, afati është shtyrë vetëm shtatë ditë, ndonëse, sipas kompanisë, ligji kërkon të paktën dhjetë ditë në raste të tilla.

Një tjetër kundërshtim lidhet me kërkesat për stafin profesional. Kompania thotë se vazhdon të kërkohet një numër i madh inxhinierësh, licenca, certifikata dhe dokumente të tjera, pa u dëshmuar se këto janë të nevojshme për realizimin e projektit.

Ankesa përfshin edhe kërkesat për makineritë dhe pajisjet. Sipas operatorit ekonomik, komuna ka kërkuar 16 lloje të ndryshme pajisjesh, ndërsa për disa prej tyre ka vendosur kushte shumë specifike për peshën, kapacitetin dhe pajisjet shtesë. “Deshishku GB” pretendon se një pjesë e këtyre pajisjeve nuk janë të domosdoshme për punimet e planifikuara dhe se kërkesat kufizojnë konkurrencën.

Po ashtu, kompania kundërshton mënyrën se si është vendosur kriteri për përvojën e mëparshme. Sipas saj, në dosjen e tenderit nuk është sqaruar se si duhet të plotësohet ky kriter kur në tender marrin pjesë disa kompani së bashku në formë konsorciumi./Rajoni.org/

Screenshot
Screenshot
Screenshot
//BODY PART STICKY - Implement into the footer