Kontrata milionëshe në Vushtrri: Ferit Idrizit i 750-fishohen çmimet e shërbimeve brenda viti
Në tenderin për “Shtruarja me zhavor për rrugët e rendit të katërt”, në garë kishte edhe ofertues me çmime dukshëm më të ulëta se kompania fituese. Megjithatë, Komuna e Vushtrrisë ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Varna SHPK”, me vlerën e poentimit 624.47 euro dhe vlerën totale të parashikuar të kontratës 1,475,000 euro, shkruan rajoni.org.
Kontrata është lidhur me 10 shtator 2026 dhe mbartë nënshkrimin e Kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, drejtorit të prokurimit ,Ilmi Azemit, dhe pronarit të kompanisë Varna shpk, Ragip Lenjani.

Sipas Kontratës së nënshkruar, të cilën rajoni.org e posedon, ajo përfshin dhjetëra pozicione të ndryshme. Për secilin pozicion është përcaktuar sasia dhe çmimi për njësi, ndërsa realizimi i punëve varet nga nevojat e Komunës.
Rajoni.org ka krahasuar disa çmime të pozicioneve të kontratës në fjale me çmimet për shërbime të njëjta, të lidhur një vit më herët nga komuna e Vushtrrisë me operatorin ekonomik “Wenda”
Nga ky krahasim dalin dallime të mëdha në disa pozicione.
Në disa raste, çmimet në kontratën e re janë disa herë më të larta, ndërsa në raste të tjera dallimi arrin deri në 750 herë.
Cilat janë disa nga çmimët e fryera që bien në sy në kontratën e re të nënshkruar nga Komuna e Vushtrrisë, krahasuar me kontratën e 2025?
Për shembull, në pozicionin 1.9, që ka të bëjë me furnizimin dhe punimin e kokave hyrëse dhe dalëse nga betoni i armuar me mure anësore me trashësi 25 centimetra, çmimi në kontratën e re është 750 euro për copë. Në kontratën e vitit 2025, për të njëjtin pozicion, çmimi ishte vetëm 1-euro për copë.
Në pozicionin 2.2, që përfshin planifikimin dhe ngjeshjen e tokës pas përfundimit të gërmimit, në kontratën e re çmimi është 16 euro për metër kub, ndërsa në kontratën e vitit 2025 i njëjti pozicion ishte 20 centë për metër kub.
Dallim të madh ka edhe te pozicioni 2.3, që përfshin furnizimin, transportin, shtrirjen dhe ngjeshjen e shtresës së zhavorit të fraksionuar, e cila përdoret si shtresë tamponuese në rrugë. Në kontratën e re, ky shërbim është paraparë me çmim 29.50 euro për metër kub, ndërsa në kontratën e vitit 2025 kushtonte vetëm 20 centë për metër kub.
Në pozicionin 2.4, që përfshin furnizimin, transportin, shtrirjen dhe ngjeshjen e zhavorit të lumit për mbushje, çmimi në kontratën e re është 35 euro për metër kub. Një vit më herët, për të njëjtin shërbim, Komuna e Vushtrrisë kishte paguar 1 euro për metër kub.

Dallime të mëdha vërehen edhe në pozicionet që lidhen me punët e betonit.
Në pozicionin 3.1, që përfshin furnizimin, transportin, kallëpimin, betonimin, rrafhimin, vibrimin dhe përfundimin e themeleve dhe mureve mbrojtëse prej betoni C25/30, çmimi në kontratën e re është 350 euro për metër kub. Në kontratën e vitit 2025, për të njëjtin shërbim çmimi ishte 85 euro për metër kub.
Në pozicionin 3.2, që përfshin punët e betonit C30/37 për themelet nën shtratin e lumenjve ose muret mbrojtëse, çmimi në kontratën e re është 380 euro për metër kub, ndërsa në kontratën e vitit 2025 ishte 33 euro për metër kub.
Ndërsa në pozicionin 3.4, që përfshin furnizimin, transportin, kallëpimin, betonimin, rrafhimin, vibrimin dhe përfundimin e pllakave masive dhe trarëve me beton të klasës C30/37, në kontratën e re çmimi është 380 euro për metër kub. Në kontratën e vitit 2025, sipas dokumenteve të krahasuara nga Rajoni.org, i njëjti shërbim ishte 4 euro për metër kub.

Çka thonë Komuna e Vushtrrisë?
Rajoni.org ka shkruar komunës së Vushtrrisë lidhur me kontratën dhe dyshimet së kjo kontratë ka çmime me të fryera.
Ata kanë thënë së kontrata për çmimet për njësi në ofertën fituese janë brenda çmimeve të tregut të referuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga kontratat e komunave përreth (Mitrovicë, Skenderaj) për shërbime të njëjta në vitin 2026.
Sipas tyre, çdo rritje e çmimit të karburantit dhe transportit prej mbi 25% nga viti 2024 reflektohet automatikisht në çmimin e zhavorit.
“Çmimet për njësi në ofertën fituese janë brenda çmimeve të tregut të referuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga kontratat e komunave përreth (Mitrovicë, Skenderaj) për shërbime të njëjta në vitin 2026. Çdo rritje e çmimit të karburantit dhe transportit prej mbi 25% nga viti 2024 reflektohet automatikisht në çmimin e zhavorit.





