Lajme

Kosovarët ‘dridhen’ nga vaksina AstraZeneca

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:29 / 31 March 2021

U dha shumë zor,u fol e u përfol pse në Kosovë u vonua vaksina. Pas kaq kohësh, ajo erdhi në shtetin tonë. Filloi edhe të jepet, por ka diçka që mungon.

Pas krejt kësaj ‘lufte’ për sigurimin e vaksinave asnjë fushatë nuk u bë për të. Kosovarët krejt çka kanë dëgjuar për vaksinën që tashmë kanë filluar ta marrin, janë informata nga jashtë.

Prej krejt atyre që kanë dëgjuar për ‘AstraZeneca’, shumica e popullit po ka frikë, shkruan Syri.net Kosova.

Disa betohen se nuk do ta marrin kurrë këtë vaksinë, disa janë dërguar me zor për ta marrë atë, e dikush po e merr pa asnjë problem.

B.Q (emër i njohur për redaksinë) në një prononcim dhënë për Syri.net Kosova, shprehet në mënyrë kategorike që nuk do e merr këtë vaksinë, me arsyetimin se kjo është diçka ende e panjohur për të.

“Unë personalisht nuk e marrë këtë vaksinë. Po dëgjoj në media që po flitet për teori konspirative rreth saj, në aspektin fiziologjik, vaksina është e re dhe e panjohur dhe duhet kohë që të krijohet një përvojë bukur e mirë.”shprehet ai.

Qytetari ndër të tjera thotë se në lidhje me këtë vaksinë është konsultuar edhe me stafin mjekësor në Klinikën Infektive, dhe sipas tij edhe ata janë të njëjtit mendim me të.

“Kam bisedu edhe me stafin mjekësor rreth kësaj vaksine dhe janë të njëjtit mendim që është e panjohur ende për ta marrë”, thotë ai.

Madje i njëjti thotë se këtë vaksinë nuk do ta preferonte as për nënën e tij 71 vjeçare që aktualisht gjendjet e shtrirë në këtë klinikë.

“E thash se nuk jam simpatizant i vaksinave,  sa i përket nënës time 79 vjeçare ajo i merr zakonisht vaksinat e gripit pԯr çdo vit,  por të koronës nuk e di. Është e panjohur dhe se di sa do të ketë vend për vaksinë në gjendjen e saj meqë po presim që këto ditë të del negativ, meqë ka kaluar fazën e intubimit”, u shpreh ai për Syrin.

Njëjtë si ky mendon edhe një tjetër qytetare që poashtu në kushte anomiteti thotë se heziton të marrë këtë vaksinë, pasi s’ka asnjë informacion rreth saj.

“Po çfarë vaksine bre, po ku e dina na se çka përmban kjo vaksinë, a ka efekt apo s’ka.  I kemi pa shume raste në botë kur ka pas efekte anësore, dhe normal që nuk mundemi mi besu. Pastaj shteti jonë s’ka bërë asnjë fushatë rreth kësaj vaksine me na informu më në detaje rreth saj. Unë personalisht edhe me më ardhë rasti se besoj që do ta marr, pasi ende se di që ka pas efekt diku”, thotë R.B.

E ndryshe nga këta të dy mendon qytetari, Vërshim Kastrati.

Ai thotë se vaksinën do ta merrte, por nuk shpreson se do t’i vijë radha atij apo familjarit të tij që momentalisht e ka të shtrirë në Klinikën Infektive.

“Unë e kam një familjar me oksigjenoterapi të shtrirë këtu në Klinikën Infektive…Nuk presim që të vaksinohet familjari, pasi këto vaksina ishin parapa për staf mjekësor si dhe për moshat më të shtyra, kështu që skam ndonjë shpresë. Por nëse do krijohej mundësia, pse jo, do ta marrim.”, shprehet Kastrati.

E derisa kemi një laramani mendimesh e konspiracionesh rreth vaksinës, Syri.net Kosova ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotin rreth asaj se pse nuk ka pasur një fushatë të vetëdijësuese rreth vaksinës ‘AstraZeneca’.

Për këtë gjë, Hoti, thotë se gjatë muajit shkurt dhe mars ka shkuar kampanja “Bashkë kundër COVID-19”, derisa shton se nga fillimi i procesit të vaksinimit ka mjaft të interesuar.

Gjatë shkurtit dhe marsit ka shkuar kampanja “Bashkë kundër COVID-19” ku qytetarët janë informuar edhe për nevojen e mirëmbajtjes së masave aktuale në fuqi si bartja e maskës, ruajtja e distancës dhe higjiena dhe komponentë e dyta ka qenë e përqendruar në vaksinën dhe rëndësinë e saj. Nga fillimi i ketij procesi, kemi informata të kundërta nga ato që thoni ju, ka shumë të interesuar për vaksinim dhe shpresojmë të sigurojmë sa më shumë doza që secilit të interesuar t’i krijohet mundësia e marrjes së vaksinës”.


Vaksinimi ka nisur në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ku në bazë të planit të Ministrisë së Shëndetësisë janë mantelbardhët që duhet të vaksinohen të parët. 

Brenda ditës janë paraparë të kryhet 700 vaksinime.



Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga ‘AstraZeneca’ , derisa edhe 76.800 doza shtesë nga programi  i Covax do të arrijnë deri në muajin Maj kanë bërë të ditur zyrtar të UNICEF-it.

Sipas planit shtetëror janë tri faza vaksinimi të cilat parashihet të përfundojnë deri në fund të vitit.