Lajme

Kush është Nazim Bllaca, mësuesi i gjeografisë që vetëdeklarohej agjent i SHIK-ut?

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:22 / 21 Maj 2022

Nazim Bllaca ka vdekur. Kështu tha gjatë seancës avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Duke folur rreth aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, Emmerson tha se e njëjta po bazohet mbi deklaratën e njerëzve të vdekur, duke përmendur me emër Bllacën.

Por, kush është Nazim Bllaca, të cilin e shpalli të vdekur avokati i ish-kreut të Kuvendit?

Nazim Bllaca, në vitin 2009, ishte bërë personi më i përfolur në Kosovë, pasi që publikisht kishte pranuar se kishte marrë pjesë në vrasje, plagosje, vrasje e rrëmbime. Të gjitha këto, ai thoshte t’i kishte bërë në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilin prej themelimit e deri në shuarjen e tij e udhëhoqi Kadri Veseli, që tash është i paraburgosur nga Gjykata Speciale në Hagë.

Deklarimi i tij, që tronditi Kosovën, e bëri atë të njohur. Në paraqitjen e tij të parë publike, ai kishte hedhur akuza të rënda se si SHIK-u kishte kryer vrasje politike, duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj organizate.

I lindur në Prill të vitit 1972, në Ribar të Madh të komunës së Lipjanit, Bllaca kishte ushtruar profesionin e mësimdhënësit në fshatin e tij, gjersa gjatë luftës ishte uniformuar në radhët e UÇK-së.

I vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq, i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa proceseve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

Pas këtyre deklaratave të Bllacës, u zhvilluan tri procese gjyqësore të ndara, të cilat u njohën në opinion si “Rasti Bllaca 1, Bllaca 2, dhe Bllaca 3”.

“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, ka thënë Emmerson.

Ben Emmerson në seancë foli edhe për dëshmitarët e tjerë të Prokurorisë.

“Ekzistojnë prova që shërbimet e Serbisë kanë tentuar të korruptojnë dëshminë e cila është paraqitur para Tribunalit të Hagës. Njëri nga dëshmitarët e ka pranuar se dëshmia e tij ishte e rrejshme. Kjo do të ishte një material që do ta diskreditonte çështjen e Prokurorisë. Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, theksoi Ben Emmerson.

Kujtojmë që Kadri Veseli, sa ishte në liri, e kishte mohuar se Bllaca ka qenë pjesë e SHIK-ut. Madje në Gjykatë e nën betim, Veseli deklaronte se Bllaca nuk ka qenë kurrë as anëtar e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un.

“Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtar dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, thoshte Veseli nën betim në Gjykatën e EULEX-it.