LAJME

Kuvendi i Prishtinës voton themelimin e “Pastrimi-Prishtina”, VV e kundërshton: Po synohet falimentimi i “Pastrimit”

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për themelimin e ndërmarrjes publike “Pastrimi-Prishtina”.

Propozimin për themelimin e kësaj ndërmarrjeje e ka paraqitur drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, i cili tha se Prishtina duhet ta marrë nën kontroll pastrimin në kryeqytet.

“Kompania ‘Pastrimi-Prishtina’ do t’i hyjë në punë qytetarëve dhe do të menaxhohet nga Kuvendi i Prishtinës me 100 për qind të aksioneve”, tha Retkoceri.

Ndaj këtij propozimi ka kundërshtuar shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili tha se VV-ja nuk do ta mbështesë themelimin e ndërmarrjes së re.

Sveçla e ka cilësuar këtë si vazhdim të asaj që ai e quajti “klientelizëm” dhe ka ngritur pretendime se përmes kësaj nisme synohet krijimi i mundësisë që një pjesë e tregut t’i jepet një operatori privat.

“Është një tendencë me vazhdu klientelizimin e shpërfaqur nga PDK të shpërndarë në shumicën e ndërmarrjeve të kryeqytetit. Kjo është një kërkesë për një mundësi të re që një pjesë të tregut t’ia japin operatorit privat”, tha Sveçla.

Ai ka deklaruar se ndërmarrja ekzistuese “Pastrimi” mund të përqendrohet në ofrimin e shërbimeve vetëm në Prishtinë, pasi, sipas tij, ka ndërprerë pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera.

“Prishtina e ka ndërmarrjen e vet, kompania ‘Pastrimi’ i ka ndërpre pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera dhe mund të koncentrohet vetëm në Prishtinë. Qytetarët duhet ta dinë se po duan ta bankrotojnë ‘Pastrimin’ dhe një pjesë të punëtorëve ta dërgojnë në ndërmarrjen e re. VV nuk e mbështet një propozim të tillë”, deklaroi Sveçla.

//BODY PART STICKY - Implement into the footer
✖