Gazetari Valon Syla u sulmua sot fizikisht në lagjen “Pejton” në Prishtinë, nga një person fytyra e të cilit vërehet qartë në pamjet e publikuara në media. Ani pse sulmi ndodhi jo edhe larg Stacionit të Policisë, sulmuesi ndodhet akoma i lirë.
Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyra për informim në Policinë e Kosovës, nëse kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë sulmuesin, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë informacion.
Policia vetëm ka konfirmuar se po merret me rastin.
“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen Pejton në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, ka konfirmuar policia.
Ky sulm fizik ndaj gazetarit Syla vjen pas shkrimeve të tij lidhur me fluksin e madh të mërgatës që kanë ardhur në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Sulmin e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shumë figura të njohura publike.