Sunday, July 25, 2021

Leicester dhe Manchester United ndajnë pikët

Gola dhe spektakël në sfidën që hapi Boxing Day në Premier League mes Leicester dhe Manchester United, duel që gjithsesi nuk nxorri një skuadër fituese.

Përfundoi në barazim 2-2 dueli i King Power Stadium, me Manchester United që nuk e ruajti dot në dy raste avantazhin dhe në fund të takimit nuk arriti të parakalonte dot Leicester-in në renditje. Fillimi i sfidës ishte më i mirë për skuadrën e Solskjaer që humbi një rast të artë me Rashford megjithatë arriti ta gjente golin pas 23 minutash lojë me të njëjtin lojtar që shfrytëzoi asistin perfekt të Bruno Fernandes dhe mposhti danezin Schmeichel.

Por nuk vonoi shumë dhe vendasit e Brendan Rodgers gjetën barazimin me një gol të bukur të realizuar nga Barnes nga distanca. Në pjesën e dytë Martial-it iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, por gjithsesi United e gjeti avantazhin me më të mirin në radhët e “Djajëve të Kuq” në këtë sfidë, portugezin Bruno Fernandes i cili shfrytëzoi asistin perfekt të Cavanit i futur në lojë në pjesën e dytë.

Edhe në pjesën e dytë avantazhit i Manchester United zgjati pak pasi golit të Fernandes në të 79-ën, iu përgjigj 6 minuta më vonë Jamie Vardy për një barazim 2-2 që mbajti për momentin Leicester City-n në vendin e dytë të Premier League.